Lamallari viziton zjarrëfikësit dhe qytetarët e lënduar nga zjarri në kompleksin e banimit: Falë ndërhyrjes së shpejtë, nuk pati pasoja fatale

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e së martës, 14 prill, një pallat 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza” (QSUT), ku ndodhen edhe konviktet e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.
Flakët nisën në katin e parë, në një ambient biznesi, dhe u përhapën me shpejtësi përmes fasadës së objektit, duke shkaktuar panik tek banorët dhe studentët.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari vizitoi në QSUT efektivët zjarrfikës të lënduar dhe qytetarë që morën trajtim mjekësor.
Ai theksoi se gjendja e tyre është e stabilizuar.
“Teksa vijon operacioni për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit në pallatin që u përfshi nga flakët, isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht, siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Prej momenteve të para të zjarrit kam qenë gjithashtu në terren bashkë me forca të Shërbimit Zjarrfikës, forca të Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile që bënë gjithçka ishte e nevojshme për të mos pasur mbi të gjitha pasoja në jetë njerëzish,” u shpreh Lamallari.
Që nga momenti i konstatimit të zjarrit në pallatin pranë QSUT, Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari u ndodh menjëherë në terren, duke ndjekur nga afër gjithë operacionin e shuarjes së flakëve dhe evakuimit të banorëve.
Ai monitoroi situatën në bashkëpunim me forcat e Shërbimit Zjarrfikës, Policinë e Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile, duke theksuar se angazhimi i menjëhershëm i strukturave të sigurisë ishte vendimtar për të shmangur pasoja në jetë njerëzish.
/rtsh,al.