Drejtoria e Burgjeve: Kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikologjike për të dënuarën dhe foshnjen e saj

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithsme e Burgjeve bëri të ditur sot se në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEPV) Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga ligji “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.
Për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale.
Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me synimin për të garantuar mirëqenien e nënës dhe të fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi.
1 nga 5/m.m/a.f/