Shqipëria dënon kërcënimet për bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Shqipëria dënoi sot në termat më të ashpër kërcënimet e formuluara nga milicia Houthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite, përfshirë kërcënimet për vendosjen e një bllokade detare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh se këto veprime provokuese dhe përshkallëzuese destabilizojnë më tej rajonin.
Sipas MEPJ-së këto veprime kërcënojnë lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve detare në Detin e Kuq, si dhe dëmtojnë përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes dhe stabilitetit në Jemen.
“Shqipëria qëndron fuqimisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe partnerëve të saj rajonalë në përballimin e kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale dhe lundrimit ndërkombëtar, dhe mbetet e angazhuar në mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.
/m.m/a.f/