Drejtshkrimi sovjetik
Një dokument i vitit 1951, nxjerrë nga Fondi i Komitetit Qendror të PPSh-së, "Mbi shkruarjen e fjalëve të huaja ashtu siç fliten në gjuhën shqip", të nënshkruar nga Nexhmije Hoxha dhe Bedri Spahiu, hedh dritë mbi historinë e marrëdhënieve midis drejtshkrimit të emrave të huaj dhe depërtimit të mendësisë totalitare në shqipen publike.
Si duhen shkruar, në shqipen standard, emrat e përveçëm, me burim të huaj, të njerëzve dhe të vendeve?
Shumë faktorë janë për t'u marrë parasysh gjatë formulimin e përgjigjes dhe sidomos të rregullave përkatëse - p.sh. që shqipja përdor alfabetin latin, ose që përgjithësisht i shkruan fjalët ashtu siç shqiptohen (i ashtuquajturi parim fonetik); por edhe nevoja për t'iu përmbajtur standardeve të caktuara, që kanë të bëjnë me identitetin e emrit përkundrejt shqiptimeve të ndryshme; dhe më në fund, ekzistenca e një tradite brendagjuhësore për një kategori emrash, e cila shkon ndonjëherë deri në "përkthimin" e tyre (p.sh. Papa Gjon Pali).
Një zgjidhje sa logjike aq edhe praktike do të ishte që emrat e përveçëm me burim nga gjuhët e mëdha perëndimore të shkruhen ashtu siç shkruhen në ato gjuhë; ndërsa të tjerët, duke përfshirë këtu edhe emrat nga gjuhë që përdorin alfabete të tjera (rusishtja, greqishtja) dhe sisteme të tjera shkrimi (kinezçja, japonishtja) të transliterohen sipas rregullave tashmë ekzistuese për gjuhët perëndimore.
Përjashtim do të bëhej, në këtë rast, vetëm për emra të përveçëm të traditës, p.sh. do të përdornim gjithnjë Selanik dhe Moskë, pavarësisht nga transliterimi i këtyre emrave në gjuhët përkatëse, etj.
Drejtshkrimi i emrave të përveçëm me prejardhje të huaj ka aspektin teknik, që është i ndërlikuar dhe u duhet lënë në dorë specialistëve për zgjidhje; dhe aspektin kulturor, që ka të bëjë drejtpërdrejt me marrëdhëniet e kulturës pritëse me kulturat dhënëse.
Ruajtja e trajtës së shkruar origjinale të një emri dëshmon edhe dëshirën për të njësuar njohuritë dhe qëndrimet kulturore me botën mbarë, ose për të privilegjuar integrimin ndaj shkëputjes, prirjet qendërvajtëse ndaj prirjeve qendërikëse.
Për këtë arsye të fundit, ka shumë interes të ndiqet historia e shkrimit të emrave të përveçëm të huaj në shqipe, së paku gjatë dy shekujve të fundit dhe veçanërisht në vitet e konsolidimit të shqipes standard.
Një material që ka zbuluar në arkivat shqiptare historiani Elidor Mëhilli - të cilin e falënderoj që ma dërgoi për ta shqyrtuar, duke më lejuar edhe që të shkruaja për të në publik - hedh dritë mbi këtë çështje; dhe pikërisht mbi historinë e marrëdhënieve midis drejtshkrimit të emrave të huaj dhe depërtimit të mendësisë totalitare në shqipen publike.
Është fjala për një dokument të datës 24 gusht 1951, të nxjerrë nga Fondi i Komitetit Qendror të PPSh-së, Sekretariati, të përmendur në faqen përmbledhëse të dosjes me titullin "Mbi shkruarjen e fjalëve të huaja ashtu siç fliten në gjuhën shqip", dhe që përbëhet nga dy pjesë: një "Relacion për fjalët dhe emrat e huaja që të shkruhen ashtu siç lexohen", të nënshkruar nga Drejtorja e Drejtorisë së Agit-Propit Nexhmije Hoxha dhe Sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së Bedri Spahiu; dhe një Vendim të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, që e miraton propozimin e bërë në relacion.
Në relacion thuhet pikërisht:
Në shtypin tonë fjalët dhe emrat e huaja nuk shkruhen siç është shqyptimi i tyre, por ashtu siç shkruhen në fjalët gjuhët e huaja. Kjo gjë sjell që nga shumica dërmonjëse e lexonjësve të mos bëhet një shqyptim i drejt dhe të mos marrin vesh kuptimin e tyre. Prandaj duke marrë parasysh këtë propozojmë që të gjitha fjalët dhe emrat e huaja të shkruhen ashtu siç lexohen. Shtojmë se edhe në B.S. emrat dhe fjalët e huaja i shkruajnë simbas shqyptimit dhe germave të gjuhës ruse.
Për këtë çështje kërkuam dhe mendimin e shokëve t'Institutit të Shkencave të cilët janë dakord me mendimin tonë.
Ia vlen të ndalemi në disa momente kyçe të këtij relacioni.
Së pari, autorët pranojnë se deri atëherë emrat me prejardhje të huaj, në shtyp, janë shkruar sipas grafisë që kanë në gjuhët burimore (p.sh. Schwarzwald, jo Shvarcvald); duke ndjekur kriterin e ruajtjes së njësisë së formës grafike, përkundrejt variacioneve të mundshme në shqiptim.
Së dyti, autorët besojnë se ruajtja e grafisë së origjinalit, e pazakonshme për shqipen, ka bërë që këta emra të mos shqiptohen mirë dhe për rrjedhojë "të mos merret vesh kuptimi i tyre" - edhe pse nuk është e qartë se çfarë lidhje mund të ketë kuptimi i këtyre emrave ose fjalëve me shqiptimin që u bëhet.
Së treti, autorët propozojnë që emrat e huaj dhe në përgjithësi fjalët e huaja të shkruhen, sa i përket shtypit, sipas parimit fonetik; ose "ashtu siç lexohen" (p.sh. Shvarcvald, jo Schwarzwald), edhe pse një propozim i tillë përmban një kontradiktë, sa kohë që, vetëm një rresht më lart, është thënë se emra të tillë lexohen në gjithfarë mënyrash dhe keq; ndoshta duhej thënë "ashtu siç shqiptohen në gjuhët e origjinës".
Së katërti, autorët e mbështetin propozimin e tyre duke iu referuar autoritetit politik dhe ideologjik dhe duke vërejtur se kështu veprohet edhe në Bashkimin Sovjetik, ku emrat dhe fjalët e huaja "i shkruajnë sipas shqyptimit dhe germave në gjuhën ruse".
Së pesti, autorët nuk e fshehin se këtë çështje e kanë shqyrtuar vetë, por duke kërkuar "dhe mendimin e shokëve të Institutit të Shkencave"; çka lë vend të supozohet se sekretariati i K.Q. çështjen e drejtshkrimit të emrave të huaj e konsideronte më parë si ideologjike, dhe vetëm më pas si gjuhësore-teknike.
Ndoshta kjo radhë përparësish shpjegon edhe pse vetë relacioni, nga pikëpamja e zgjidhjes gjuhësore që propozohet, lë shumë për të dëshiruar; meqë duket sikur autorët, N. Hoxha dhe B. Spahiu, nuk e rrokin dot problemin gjuhësisht, as pasojat praktike të menjëhershme dhe largvajtëse të zgjidhjes së improvizuar që sugjerojnë; por e rrokin për bukuri kontekstin ideologjik të kohës dhe e zotërojnë në majë të gishtave metodën e analizës të problemeve të tilla - shfrytëzimin ose në thelb kopjimin mekanik të eksperiencës sovjetike.
Mes të tjerash, tingëllon kontradiktore këmbëngulja për ta mbështetur drejtshkrimin e këtyre emrave në 'shqyptimin', ose më keq akoma, në 'leximin' e tyre; sa kohë që vetë nevoja për ta ndryshuar këtë drejtshkrim ka lindur, gjithnjë sipas autorëve, nga rrëmuja e varianteve dhe e luhatjeve në shqiptim.
Për shembull, si do të shkruhet në shqipe një emër i përveçëm si Eugene (anglisht), Eugène (frëngjisht), Eugenio (italisht), Eugenius (latinisht), (rusisht), (greqisht) e kështu me radhë? Me logjikë, të gjithë këta emra do të shkruheshin Eugjen, duke ndjekur pjesërisht traditën dhe pjesërisht kriterin transliterues.
Përkundrazi, kriteri i propozuar nga N. Hoxha dhe B. Spahiu për shtypin, që më pas u adoptua nga standardi drejtshkrimor për të gjitha tekstet shqipe, ka çuar në forma të tilla si Juxhin (në përkthimin e romanit Gjeniu, të T. Dreiser); Ëzhen (emri i shkrimtarit Eugène Sue, autor i Mistereve të Parisit); Euxhenio, Euhenio, Jevgenij etj. Të krahasohet edhe kontrasti midis emrit zyrtar të frëngut Eugène Sue (Ëzhen Sy), i konfirmuar në përkthimin e një shkrimi të Marksit për veprën e atij shkrimtari; dhe mënyrës si është përkthyer titulli i romanit të njohur të Balzac-ut, Eugénie Grandet (Evgjeni Grande), duke ndjekur traditën e emrit në kulturën shqiptare ortodokse (çka nuk i ka penguar me mijëra lexues që mbiemrin e heroinës ta lexonin me theks paroksiton: Gránde).
Në të vërtetë, çdo gjuhëtar e di se forma e shkruar e ligjërimit është shumë më e qëndrueshme se forma e folur; duke siguruar identitetin dhe njësinë e fjalës edhe në ato raste kur shqiptimi ndryshon sipas parametrave gjeografikë, socialë dhe individualë; dhe aq më tepër vlen kjo, në rrethanat kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm, të cilët nuk kanë "kuptim" në vetvete, por vetëm she