Xholi: Krimi ndaj pronës dhe grabitjet në rritje

ANALIZA
Gjatë vitit të kaluar, porkuroria ka nisur ndjekjen penale për më tepër se 7 mijë kallëzime të mbërritura në adresë të saj
Prokurorët e Taks- Forcës, shprehin shqetësimin për vendimet me dy standarde të Gjykatës së Apelit për çështjet tyre
TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së kryeqytetit, Genti Xholi, lëshon alarmin e shtimit të vjedhjeve në krahasim me vitin 2008 e në mënyrë të veçantë krimin që lidhet ndaj pronës .
Në numrin total të dosjeve të hetuara, sipas kreut të prokurorisë, vihet re rritje e rasteve të vjedhjes dhe grabitjes me armë, në banesa, banka, apo biznese apo prona të ndryshme. "Në vlerësimin e organit të akuzës së kryeqytetit, një nga veprat penale që është renditur më problematike gjatë vitit që lamë pas është ajo e vjedhjes me armë"-tha prokurori Xholi.
Një evidentim i tillë në drejtim të vjedhjes me dhunë, apo me armë ishte kryer edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kryeqytet gjatë analizës vjetore të kryer prej saj pak javë më pare nga ky institucion.
Më tej kryeprokurori i Tiranës tha se shqetësim për organin e akuzës mbetet rritja e numrit të këtyre rasteve.
Ndërkohë, me gjithë fluksin e rritjes së këtyre ngjarjeve, kryeprokurori i Tiranës, në fjalën e tij përmbledhëse të punës njëvjeçare shtoi se organi i akuzës në kryeqytet ka shqyrtuar 7286 kallëzime penale nga qytetarët dhe subjektet e institucionet e ndryshme gjatë vitit të kaluar.
Nga hetimi i të gjithë këtyre kallëzimeve janë dërguar në për gjykim 1885 çështje me 2343 të pandehur. Ndërkohë, vetë institucioni i akuzës për gjatë vitit 2009, ka nisur vetëm në 9 raste hetimet kryesisht për krime të ndryshme.
Ndërkaq, të gjitha rastet e tjera të hetuara prej saj janë janë referuar nga policia si dhe vetë personat e dëmtuar që janë kthyer në rolin e kallëzuesit. Ndërkaq, Xholi shprehu shqetësimin për vonesat dhe zvarritjen e çështjeve gjatë fazës së hetimit të dosjes dhe atë të mbylljes së hetimeve për një dosje të caktuar, duke shkaktuar dëme në drejtim të afateve hetimore.
Gjithashtu, gjatë kësaj analize është përmbledhur në statistika edhe puna e njësisë së task-forcës së prokurorisë së kryeqytetit. Për këta të fundit shqetësuese gjatë vitit të kaluar, kanë qenë vendimet me dy standarde të Gjykatës së Apelit për rastet.
Për këtë shkak, këta të fundit kanë shprehur shqetësimin e tyre, pasi shumë prej vendimeve nuk pasqyronin drejt konsumimin e veprave penale nga të akuzuarit.
Para prokurorëve dhe oficerëve të këtij institucioni, pas përmbledhjes së punës një vjeçare nga drejtuesi i prokurorisë Xholi, mësohet se ka folur edhe kryeprokurorja Ina Rama që ka shprehur mbështetje për këtë institucion si dhe ka prezantuar emrin e ri të drejtuesit të task-forcës prokurorin Dritan Rreshka.
Përveç prokurorëve, oficerëve dhe kryeprokurores Rama në analizën vjetore ishin të pranishëm edhe drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Sokol Stojani, Zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Artan Cuku si dhe kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, Artan Zeneli.