Drita Pelinku, ylli vlonjat i teatrit dhe kinematografisë shqiptare

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Më 3 dhjetor të vitit 1926 lindi në Vlorë Drita Pelinku, një nga figurat më me peshë të skenës së artit shqiptar.
Ylli vlonjat që ndriçoi për dekada skenën shqiptare me talentin, zërin dhe finesën e saj artistike, u kthye në ikonë të teatrit dhe kinemasë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme me mbi 150 role.
Në galerinë e pasur që la pas, spikasin karakteret që ndërtoi tek “Njeriu me top”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Tana”, “Radiostacioni” dhe “Përtej mureve të gurta”.
Në karrierën që i arriti 6 dekadat, krijimtaria e saj artistike u shtri në tri fusha: aktrimin, regjisurën dhe pedagogjinë.
Që nga viti 1976 ajo ishte një nga pedagogët e Artit Skenik dhe nga më të dashurat për breza të tërë aktorësh e studentësh.
Për kontributet e saj të veçanta, Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtre e Madhe”. Gjithashtu ajo u vlerësua me “Çmimin e Karrierës”, me titullin “Artiste e Merituar”, me çmimin “Ismail Qemali”. Ndërsa qyteti i saj i lindjes e çmoi si Qytetare Nderi dhe më pas u nderua edhe me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.
/j.p/r.e/