Muçaj: Ndryshimet në Kodin Rrugor, përafrim me direktivat e BE-së

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, sot u diskutua projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj u shpreh se “projektligji vjen si një kërkesë për të përafruar legjislacionin tonë me Bashkimin Evropian, sa i përket direktivës së BE që orienton mbi përcaktimin e disa mjeteve që qarkullojnë në komunitet të përmasave maksimale në territorin kombëtar, ndërkombëtar dhe peshën maksimale që duhet të mbajnë mjetet”.
“Në thelb, projektligji përcakton ato ndryshime në Kodin Rrugor dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me vendosjen e disa standardeve, të cilat përdoren sot në BE në lidhje me përmasat dhe peshat që mjetet duhet të kenë”, tha Muçaj.
Sipas zëvendësministres, ndryshimet ligjore do të ndihmojnë në përputhshmërinë e plotë të standardeve shqiptare me ato të vendeve të BE-së, duke garantuar një konkurrencë më të ndershme për operatorët e transportit, siguri më të lartë rrugore dhe ulje të ndotjes mjedisore.
“Përveç reduktimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, dhe asaj ekonomike sa i përket kostove të mirëmbajtjes, kemi edhe reduktimin e ndotjes mjedisore. Ky projektligj do të mundësojë integrim më të lehtë edhe të mjeteve të transportit, ndërmjet Shqipërisë dhe territorit të BE-së duke siguruar arritjen e një sërë qëllimesh”, vijoi Muçaj.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se projektligji parashikon edhe ndryshime në aktet nënligjore, përfshirë rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor, për të reflektuar plotësisht kërkesat e direktivës evropiane.
Relatori i nismës, deputeti Agron Malaj, u shpreh se kjo nismë vjen në një moment kur siguria rrugore, standardet e mjeteve dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së kërkojnë reagim të kohës.
“Ky projektligj synon të sjellë qartësi, rregull dhe modernizim në trajtimin e mjeteve rrugore që tejkalojnë përmasat dhe peshat e lejuara”, tha Malaj.
Zëvendëskryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Klevis Balliu, tha se në ditët e fundit është treguar se siguria rrugore ka rënë shumë për shkak të rrugëve të dobëta që ndërtohen në Shqipëri.
“Ju e keni trumbetuar që kjo është një kërkesë e BE-së, por me këto ndryshime nuk plotësohen kërkesat e BE-së. E keni mbushur me burokraci të pafundme. Shumica e përmbajtjes shtyhet me nene nënligjore, dhe të gjitha ndryshimet që kërkon BE i keni lënë për më vonë”, tha Balliu.
Balliu shtoi se “ka disa çështje lidhur me standardet teknike, peshat, përmasat e mjeteve nuk ka përmasa. Ka mungesë transparence për opinionin publik”.
“E shoh shqetësuese heqjen e kontrollit parlamentar mbi normat teknike, s’mund të vendosen të gjitha nga një grup njerëzish në një ministri. Ka mungesë transparence për kostot dhe ndikimin ekonomik. Projektligji është bosh, pa analiza, pa studime dhe pa transparencë. Qeveria justifikohet me BE-në, por lë rregullat kryesore: peshat, përmasat dhe standardet t’i vendosë më vonë me vendime të Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë më pak kontroll, më shumë abuzim dhe zero garanci për qytetarët”, tha Balliu.
Nga ana e saj, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi se “kemi të bëjmë me përafrim të plotë me ndryshimet që bëhen në rregullat zbatuese të Kodit Rrugor”.
“Strategjia e sigurisë rrugore në Shqipëri, është në fazë konsultimi dhe Ministria është konsultuar me palët e interesit. Shqipëria duhet të ketë një sjellje më të përmirësuar në raport me territorin, një raport të drejtë që është ligji, atyre që e zbatojnë ligjin dhe atyre që e monitorojnë atë”, theksoi Muçaj.
Projektligji u miratua me shumicë votash pro.
/e.i/j.p/r.e/