Dritan Dajti: Pas 23 qershorit do të hap kutinë e Pandorës
I akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të policisë, Dritan Dajti, ka thënë gjatë seancës së sotme gjyqësore, se pas 23 qershorit do të hapë kutinë e Pandorës.
Ai është shprehur se do të tregojë të vërtetën pas vrasjes vetëm pas 23 qershorit.
Po më detyrojnë të hap kutinë e Pandorës, por të vërtetën për krimet do e tregoj vetëm pas 23 qershorit.
Nëse merreni me të afërmit, iu bëj të ditur se me kë keni të bëni. Më quajnë Dritan Dajti, është shprehur Dajti.
Reagimi i tij ka ardhur pas arrestimit të një prej të afërmve të vet një seancë gjyqësore më parë.
E kam unë personale me ju tashmë. Unë i njoh mirë ligjet, mos harroni se unë jam Dritan Dajti dhe po flisni me Dritan Dajtin.
I qetë Dajti vijoi t’u kujtojë gjyqtarëve se kanë zhvilluar për gati dy vjet një proces të mbyllur në mënyrë që publiku të mos marrë vesh të vërtetën e 2009-ës e për këtë Dajti iu drejtua gjyqtarëve duke thënë: Ju kujtoj se pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës.
Disa herë gjyqtari Idriz Mulkurti u përpoq ta vërë në dijeni të pandehurin se po dilte jashtë objektit të gjykimit, por Dritan Dajti pyeti duke kujtuar masakrën e Durrësit, ku mbeten të vrarë katër policë.
Pyesni mirë kush e vrau Saimir Duçkollarin? Pse e vrau veten babai i tij? Pyesni mirë e nderuar gjykatë, e mbylli replikën e tij i pandehuri.
Pyetjes nëse do të mbrohej vetë, Dajti iu përgjigj negativisht, duke kujtuar Kodin e Procedurës. Kërkoj të mbrohem me avokat e meqë nuk më keni gjetur avokat, kërkoj të largohem nga salla, tha Dajti.
Pas kësaj situate të krijuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, një burim i Top Channel tha se do të kërkohet në mënyrë urgjente shtimi i masave për ruajtjen e anëtarëve të trupës gjyqësore dhe familjarëve të tyre.