Dritat, qeveria i ankohet OSSH-së me letër
Ministria e Ekonomisë premtoi dje se do të diskutojë ankesat e pafundme të konsumatorëve të energjisë elektrike në një mbledhje të posaçme të bordit drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke përdorur fuqinë e vet si aksioner minoritar në këtë kompani.
Ministria “ka ndjekur me shqetësim ankesat publike të disa konsumatorëve të energjisë elektrike për mbifaturim në faturat e muajit dhjetor 2009 dhe ka vendosur të ngrejë një grup inspektimi për të verifikuar këto ankesa”, njoftoi dje zyra e shtypit e kësaj ministrie. Sipas deklaratës, ministri Dritan Prifti ia ka bërë të ditur OSSH-së ankesat përmes një letre. Drejtori i OSSH-së, Josef Haisek, deklaroi dje se problemi me faturat e dhjetorit “qe një gabim njerëzor” dhe se “konsumatorët do të kompensohen”.
Pavarësisht se problemi me faturat e dhjetorit duket se u zgjidh, situata mbetet e njëjtë. Shqipëria nuk ka një institucion që të grumbullojë ankesat e qytetarëve dhe të kryejë verifikimet e nevojshme për të parë nëse ka pasur apo jo abuzime. Në mungesë të këtij institucioni, ankesat grumbullohen nga media.
Fatura 15 mijë lekëshe në janarNë çdo pikë të pagesës së faturave të dritave në të gjithë vendin, qytetarët qenë të revoltuar këto ditë. “Fatura ime për muajin janar ishte 15 mijë lekë (të reja), ndërkohë që zakonisht në një muaj dimri vjen 6 apo 7 mijë lekë”, thotë Besimi, një mësues në pension, ndërsa paguan faturën e tij mujore te një kioskë pranë Liceut Artistik në Tiranë. “Pensionin e mora te kioska ngjitur dhe pasi pagova dritat, më mbetën 2 mijë lekë në xhep”, shton ai. “është e qartë se politika arrin ta ruajë pushtetin duke mbledhur votat e atyre që nuk e paguajnë energjinë dhe nuk shqetësohet shumë kur rrënohemi ne të tjerët”, shton ai.
“Fatura ime ka ardhur 25700 lekë (të reja)”, thotë një tjetër. “Unë nuk kam dyqan që të konsumoj kaq shumë drita”. Me të gjithë konsumatorët ka ndodhur e njëjta gjë. çmimi i energjisë elektrike u rrit me 13 për qind në muajin janar, por konsumatorët thonë se faturat e tyre në fakt janë dyfishuar. Ankesave të njerëzve, arkëtaret e OSSH-së u përgjigjen thjesht: shkoni te kompjuteri. Kompjuteri nënkupton njësinë rajonale të sektorit të shitjeve të kompanisë ish-shtetërore. Qytetarëve që shkuan atje për t’u ankuar u thanë thjesht se “faturën tuaj kaq e nxjerr kompjuteri”.
Familjet shqiptare konsumojnë mesatarisht 200 kilovat orë në muaj, e barasvlefshme me më pak se 2 mijë lekë. Por një numër i stërmadh konsumatorësh po ankohen se faturat e tyre kanë ardhur shumë më të shtrenjta se zakonisht. Shqipëria ia shiti rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike një investitori të huaj vitin e kaluar, duke krijuar një monopol privat, i cili teorikisht duhet të mbikëqyret nga Enti Rregullator i Energjisë, në mënyrë që të mos lejohet të abuzojë me pozicionin e vet. Por dukshëm mekanizmat e kontrollit të OSSH-së në mbrojtje të konsumatorëve thjesht nuk ekzistojnë.
Partia Socialiste denoncoi pak ditë më parë faktin se për një pjesë të konsumatorëve, OSSH-ja i ka faturuar energjinë e konsumuar në dhjetor me çmimet e janarit. Një shoqatë joqeveritare dorëzoi një denoncim në prokurori kundër drejtuesve të OSSH-së.
Por kjo është vetëm një pjesë e ankesave të qytetarëve, të cilët thonë se faturat e janarit kanë qenë shumë më të larta se zakonisht. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, deklaroi se faturimi i konsumit të dhjetorit me tarifat e janarit është i paligjshëm dhe OSSH-ja duhet të kompensojë konsumatorët. Të njëjtën gjë thotë edhe ministri Dritan Prifti, i cili përfaqëson qeverinë si pronar i 24 për qind të aksioneve të OSSH-së. Por askush nuk thotë se si do të mund të kontrollohen faturat e konsumatorëve për të parë nëse ka apo jo faturim të tepruar, askush nuk thotë se a do t’i kërkohet llogari OSSH-së për cilësinë e energjisë së shpërndarë, pra për nivelin e tensionit dhe nivelin e intensitetit.
Ndërkohë, ankesat e konsumatorëve duket se do të vijojnë të marrin përgjigje nga kompjuteri, i cili kontrollohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Vetë OSSH-ja thotë se konsumatorët shqiptarë, privatë apo publikë, kanë akumuluar fatura të papaguara me vlerë të përgjithshme prej rreth 20 miliardë lekësh, ndërkohë që çmimi aktual i energjisë elektrike është i pamjaftueshëm për të mbuluar kostot, gjë që do të krijojë humbje prej rreth 15 miliardë lekësh për kompaninë gjatë vitit 2010.
#