E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, masa të reja shtrënguese për uljen e deficitit

Papandreu: “Ne bëmë gjithçka na kërkoi BE, tani është radha e Europës të veprojë

Qeveria greke ka aprovuar dje masën e dytë të shtrëngimeve ekonomike në tentativë për të ulur brenda afatit të duhur shkallën e lartë të deficitit buxhetor. Dje, ajo publikoi një sërë masash të tjera shumë të ashpra, përpos atyre të marra pak kohë më parë. Masat e reja parashikojnë mbledhjen e 4.8 miliardë dollarëve shtesë këtë vit dhe kjo do të synohet të arrihet edhe përmes reduktimit me 30% të pagesës 13 për punonjësit e sektorit publik. Në fakt, grekët i kanë pagat e tyre vjetore të shpërndara në 14 muaj dhe 2 muajt e fundit janë bonuse për ta. Masat e reja përfshijnë edhe 12% shkurtime të bonuseve të punonjësve civilë, ngritje të të gjitha pensioneve, një rritje prej 2% të Taksës së Vlerës së Shtuar, si dhe rritje të taksës për alkoolin dhe duhanin për të mos harruar këtu edhe rritjen prej 1 centi në çmimin e karburanteve. Planifikohet gjithashtu edhe një rritje e taksës për mallrat e luksit të tilla si makinat e shtrenjta. “Tani ka ardhur koha e Europës. Ne bëmë gjithçka na u kërkua që të bëjmë, tani edhe Europa duhet të bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Kryeministri i vendit, Papandreu, pati një mbledhje të gjatë të kabinetit qeveritar ku u vendos edhe ndërmarrja e masave shtrënguese shtesë. Me këtë deklaratë, Papandreu ia ka kaluar “topin” Bashkimit Europian, i cili sipas tij, duhet të shfaqë shenja konkrete ndihme. “Unë e informova Presidentin e Republikës në lidhje me vendimin e vështirë që kemi marrë, një vendim që nuk ishte një zgjedhje, por një nevojë, në mënyrë që të na sigurohet mbijetesa e vendit dhe e ekonomisë, një vendim për të sjellë sërish frymëmarrje në vend dhe të na japë forca që të luftojmë për një shoqëri më të drejtë, me ndryshime të mëdha me vende të reja pune dhe perspektivë për kombin”, ka deklaruar Papandreu.
Këtë javë ai do të shkojë në Berlin për një takim me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Më pas ai do të takohet në Paris edhe me Presidentin francez, Sarkozi, dhe më pas do të fluturojë drejt Uashingtonit për një takim me Presidentin Obama. Bisedimet gjatë gjithë këtij turi të Papandreut do të përqendrohen vetëm te zgjidhja e krizës financiare. Plani i Greqisë, këtë vit është që të reduktojë deficitin buxhetor nga 12.7% që është aktualisht në 8.7%. Këtë ka nisur që ta bëjë përmes një plani të madh shkurtimesh të shpenzimeve që është i mbështetur edhe nga Bashkimi Europian. Në programin e saj të stabilitetit dhe rritjes, që u aprovua nga Brukseli në shkurt, Greqia është zotuar gjithashtu që të ulë deficitin në masën 3% që është edhe limiti i lejuar nga Eurozona, brenda vitit 2012. Përveç buxhetit, ekonomia greke në vitin 2009 ra për herë të parë në këto 16 vitet e fundit në recesion. Pas një sërë vitesh ku u shënuan vetëm rritje Prodhimi Kombëtar Bruto ra në 2%. Masat shtrënguese të marra në fazën e parë përfshijnë ngritjen e pagesave të sektorit publik dhe huamarrjes, reduktimin e bonuseve të punonjësve civilë, rritjen e taksave dhe ndryshimin e sistemit të pensioneve duke rritur moshën e daljes në pension. Sipas këtij ndryshimi, grekët pritet që të punojnë më shumë dhe të marrin më pak para në pleqëri.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›