E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dritë e gjelbër për rijetëzimin e komplekseve sportive dhe zonave urbane përreth në Korçë dhe Vlorë

Stadiumet në Korçë dhe Vlorë, si dhe zonat urbane përreth, do të kenë një pamje të re. Të enjten hyri në fuqi zyrtarisht vendimi i qeverisë shqiptare, që kohë më parë dha dritën e gjelbër për dy projekte madhore investimi që synojnë rijetëzimin dhe modernizimin e komplekseve sportive “Skënderbeu” në Korçë dhe “Flamurtari” në Vlorë.

Këshilli i Ministrave, pak javë më parë miratoi dy vendime kyçe që autorizojnë Korporatën e Investimeve Shqiptare (K.I.SH.) të veprojë si zhvillues kryesor i pronave shtetërore për realizimin e këtyre investimeve ambicioze.

Korça, një stadium i rijetëzuar bashkë me zonën urbane përreth

Për qytetin e Korçës, ky zhvillim do të bëhet në funksion të projektit “Rijetëzimi i kompleksit sportiv ‘Skënderbeu’, Korçë, stadiumit, pallatit të sportit dhe zonës urbane përreth”.

Qëllimi është përmbushja e interesit publik, duke transformuar jo vetëm stadiumin, por edhe infrastrukturën përreth.

K.I.SH. do të ketë të drejtën të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me institucione si Bashkia Korçë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të përcaktuar standardet dhe kushtet e bashkëpunimit. Po ashtu, Korporata autorizohet të hapë procedurën konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, si dhe të negociojë me subjekte private për lidhjen e kontratave të zhvillimit.

Një pikë e rëndësishme është edhe autorizimi për të proceduar me prishjen e objekteve ekzistuese që janë pjesë e pronave të përcaktuara për zhvillim, shkruan rtsh.al.

Vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave, ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit me këtë projekt. Por vendimi është shfuqizuar, duke ia kaluar stafetën plotësisht K.I.SH.

Vlora, transformimi i “Flamurtarit”

Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për qytetin bregdetar të Vlorës. Këshilli i Ministrave ka miratuar transferimin në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i kompleksit sportiv ‘Flamurtari’, Vlorë, stadiumit, pallatit të sportit dhe zonës urbane përreth”.

K.I.SH. do të veprojë si zhvillues i këtyre pronave, duke përmbushur interesin publik dhe duke koordinuar me Bashkinë Vlorë, Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Edhe në Vlorë, Korporata do të jetë përgjegjëse për hapjen e procedurës konkurruese për partnerin privat, negociimin e kontratave dhe kryerjen e veprimeve me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucionet e tjera publike. Prishja e objekteve ekzistuese në zonat e zhvillimit është gjithashtu e autorizuar.

Të dyja këto vendime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës sportive në Shqipëri dhe pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin urban të Korçës dhe Vlorës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›