E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Drug party” në Tiranë, sekuestrohen 300 tableta ekstazi, 4 të rinj në pranga

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, operacionin policor të koduar “Drug party”.

Nga ky operacion u arrestuan 4 shtetas dhe u sekuestruan 300 tableta të dyshuara narkotike ekstazi (MDMA).

Policia bëri të ditur se u arrestuan në flagrancë shtetasit E. N., 18 vjeç, D. V., 18 vjeç, K. P., 19 vjeç, dhe M. Ç., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë lokalizuan në rrugën “Pjetër Bogdani”, shtetasit e larpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 300 tableta të dyshuara narkotike e llojit ekstazi (MDMA).

Gjithashtu gjatë kontrollit të dyqanit të shtetasit E. N., në rrugën “Pjetër Bogdani”, u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoren për kultivimin të lëndës narkotike kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›