E Diel, 1 Nëntor 2026

Druri dhe lëkura në duart e mjeshtrit! Sukti Shehu, prej 46 vjetësh mban gjallë zanatin e samarxhiut

Në duart e tij, druri dhe lëkura marrin formën e një prej mjeteve më të vjetra të transportit. Sukti Shehu është një nga mjeshtrit që vazhdon të mbajë gjallë zanatin e samarxhiut. Prej 46 vitesh ai punon me të njëjtin përkushtim, duke përcjellë një traditë që po i reziston kohës.

Përgjatë këtyre viteve, puna si samarxhi është ndërthurur edhe me profesione të tjera. Por kjo punë nuk është larguar asnjëherë nga duart e tij.

Dashurinë për këtë zanat ai ia ka përcjellë edhe të birit. Sot, falë mjeteve dhe mënyrave më të lehta të punimit, një samar mund të përfundojë në më pak kohë.

“Isha djalë i ri. Fillova me këtë punë me kafshë me mushka edhe kisha qejf. Ndaj e mësova këtë zanat, e kisha pasion. Më doli për mbarë. Djali bën stromat. Djali është dhe në punë. Jam i kënaqur që ua trashëgova djalit. Çdo gjë duhet ruajtur. Edhe kënga trashëgohet apo dhe zëri trashëgohet. Të tëra nuk trashëgohen. Po s’u trashëguan është kot”, tha ai.

Interesi për punimet artizanale është rritur edhe falë turizmit. Samarët e punuar me dorë nuk kërkohen vetëm nga vendasit.

Porositë vijnë edhe nga turistë e klientë jashtë vendit, duke i dhënë jetë një zanati që dikur ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme.

Për Suktin, kjo nuk është thjesht një punë që duhet bërë për të siguruar jetesën. Është një pjesë e jetës së tij, një traditë që ai dëshiron ta mbajë gjallë edhe për vitet që vijnë. Synimi i tij është i qartë: të vazhdojë të punojë si samarxhi deri në moshën 80-vjeçare.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›