Duarthatë në duel me luanin
Al-Sayed Al-Essawy, 25-vjeçari nga Daqahila është i bindur se takimi i tij prej gladiatori kundër luanit, do të tërheqë një numër të madh të turistëve në Egjipt dhe është i bindur se luftën duhet ta zhvillojë, përkundër reagimeve nga mbarë bota.
Paralajmërimi i kësaj lufte të pazakontë ka nxitur shumë reagime, ndërsa grupet për mbrojtjen e kafshëve kanë filluar një peticion kundër kësaj ndeshje. Atë personalisht ky kundërshtim e ka befasuar. Ky njeri që e ka shpallë veten si “njeriu më i fortë në botë” është i zhgënjyer për shkak të reagimeve të tilla të opinionit botërorë, por nuk e ka ndërmend të tërhiqet, edhe nëse do ta mbajë sekret vendin ku do t’i dalë përballë bishës.
Ideja për t’u ndeshur me luanin i lindi që në moshën 13 vjeçare, kur e kuptoi se është tepër i fuqishëm. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në vend mendon se tash është momenti i duhur për një gjë të tillë. Ai thotë se kundërshtarët e këtij dueli janë të keqinformuar, pasi ai nuk e ka ndërmend ta mbysë luanin, por vetëm ta mposhtë. Ai do të ndeshet me luanin duarthatë, ndërsa do ta vrasë vetëm nëse është e domosdoshme.