“Gjykata mbuloi të vërtetën, lirimi i Kelmendit na shtoi dhimbjen”
Lirimi i Aziz Kelmendit ka shtuar dhimbjen në shtëpinë e këngëtares Emmy. Babai i saj Ali Hidersha rrëfen në këtë intervistë për MAPO-n se vendimin e gjykatës e mësoi nga mediat, pasi edhe datën e gjyqit ua kishin fshehur. “Vrasja e sime bije u zgjidh në tavolinë. Fajin ia hedh drejtësisë” - thotë ai, ndërsa pohon se çështjen do ta ndjekë deri në Gjykatë të Strasburgut. Sa i përket zërave për një marrëveshje të mbyllur me Kelmendët, babai i Emmy-t pohon se i vjen turp të dalë në rrugë, pasi njerëzit mendojnë se ka marrë lekë për gjakun e së bijës. “Unë dua vetëm drejtësi”, - ngulmon Ali Hidersha, i cili i drejton nga një apel prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe vetë autorit të ngjarjes.
Zoti Hidersha, 4 muaj pas vdekjes së Emmy-t, sot u lirua nga burgu autori i ngjarjes. Si u ndjetë ju pas vendimit të Gjykatës së Tiranës?
Ne e morëm vesh nga mediat dhe u ndjemë shumë keq, pasi nuk e dinim për gjyqin sot. Besonim të paktën që Gjykata do zbardhte të vërtetën, se nga Prokuroria e morëm vesh që nuk zbardhi asgjë, nuk bëri asnjë hetim. Besonim se Gjykata të paktën do zbardhte një të vërtetë. Por nuk pyeti asnjë dëshmitar. Gjykata e mbuloi të vërtetën. Gjykata u bë, bashkë me Prokurorin, palë me të akuzuarin.
Ju po thoni që nuk keni qenë në dijeni të seancës së djeshme?
Ne nuk ishim fare në dijeni dhe avokati ynë kishte qenë atje dhe i kishin thënë që seanca është pas dy ditësh. Ai rastësisht, pasi kishte mbaruar, mori vesh për vendimin. Është bërë çdo gjë e fshehtë. Kjo çështje është zgjidhur nën tavolinë.
Dy seanca më parë më parë, avokati i Aziz Kelmendit ka deklaruar se familja juaj me familjen e tij kanë rënë në një kompromis...
Jo, jo, absolutisht asnjëherë. Kanë kërkuar, por ne u kemi thënë që e ka drejtësia. Nuk kemi bërë asnjë kompromis. Sipas kësaj deklarate që ka bërë ai, që ne kemi bërë kompromis, mua më vjen turp të dal në rrugë, pasi njerëzit mendojnë që unë kam marrë lekë për gjakun e vajzës sime. Unë dua vetëm drejtësi, nuk dua lekë prej tij.
Ju keni pasur kontakte me familjarët e tij?
Po, kontakte kemi pasur. Ata nuk kanë faj për asgjë dhe ne i pranuam t’i takonim, pasi jemi njerëz. Por ne ia kishim lënë në dorë drejtësisë, por drejtësia e liroi.
Si e komentoni deklaratën e Aziz Kelmendit, i cili përpara Gjykatës deklaroi se ndihej i penduar dhe kërkonte falje?
Çfarë falje të kërkojë ai? Të vrasë njeri dhe të kërkojë falje? Ai duhet të merrte dënimin e merituar. Edhe ai krimineli ka fajin e vet, por unë fajin ia hedh drejtësisë, vetëm atyre. Na vjen shumë keq për gjyqtarin dhe për prokurorin, që janë bërë palë.
Po në rast se ai do dojë të kontaktojë me ju?
Në asnjë mënyrë, nuk ka asnjë mënyrë që ai të kontaktojë me ne.
Cila është rruga që ju do ndiqni pas këtij vendimi?
Deri në Strasburg do ta çojmë, pasi ajo nuk është një gjykatë që merr lekë. Por ne shpresojmë tek Apeli dhe te Gjykata e Lartë. Do dalë një që do ketë zemër.
Po në rast se çështja nuk apelohet?
Në rast se nuk apelohet çështja, atëherë drejtësinë do ta marrim ne vetë në dorë, jo vetëm për atë, por edhe për ata që e mbulojnë atë.
Po në lidhje me padinë civile, si do veproni?
Ajo ishte kërkesa jonë për t’u bërë palë në proces dhe për t’u dëgjuar dhe zëri ynë, nuk ishte për të kërkuar lekë për vdekjen e vajzës sonë. Ishte mënyra e vetme që ne të bëheshim pjesë në procesin gjyqësor. Kjo padi nuk do të vazhdojë, pasi ne donin vetëm që të ishim pjesë në këtë proces dhe të paraqisnim dhe kërkesat që kemi bërë dhe provat tona.
Cili është apeli juaj për prokurorinë dhe gjykatën?
I bëjmë thirrje prokurores së Përgjithshme Ina Rama, së cilës i keni dërguar disa kërkesa dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në rast se kjo situatë do vazhdojë kështu, ne do rrimë përpara zyrave të Prokurorisë derisa të takojmë zonjën Rama. Ne kërkojmë që të hetohet kjo ngjarje, pasi nuk është hetuar. Thuhet që ka lindur një konflikt, por nuk thuhet se si dhe se për çfarë ka nisur. Ne këtë duam të dimë, si ka lindur konflikti.
Dhe në fund, një mesazh për Aziz Kelmendin...
Aziz Kelmendi ta mendojë mirë. Tani që ai doli, ne na u shtua më shumë dhimbja dhe marazi. Ta mendojë mirë, se ai, si malësor dhe si kosovar, e di shumë mirë së çfarë do të thotë kur merr jetën e një vajze të re.