E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dugolli, kandidat për ministër

Formimi i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, duket se do ta kthejë në Kosovë njërin prej ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës. Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli, sipas burimeve të Kosovapressit ka marrë ofertë nga Qeveria për ta marrë në drejtim Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

I kontaktuar nga Kosovapressi, ambasadori Dugolli nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, duke mos mohuar as pohuar asgjë, ngase siç ka thënë ai, nuk ka të drejtë të flasë për mediat e Kosovës dhe se dëshiron të respektojë këtë rregull.

Ai ka kërkuar që për këtë çështje dhe për çfarëdo çështjeje tjetër të kontaktohet Ministria e Punëve të Jashtme.

Albana Beqiri, këshilltare për media e ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, nuk ka dashur të komentojë rreth kësaj çështjeje, duke thënë se nuk është në dijeni për këtë. Ajo ka theksuar se për çështjet private të ambasadorit Dugolli nuk mund të flasë Ministria e Punëve të Jashtme.

Megjithatë, Beqiri ka thënë se ambasadori i Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli vazhdon të jetë pjesë e shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Sa u përket ofertave të Qeverisë për z. Dugolli që të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, si ju supozoni në pyetjen tuaj, krejt çka mund t’ju themi në këtë rast është se nuk është Ministria e Punëve të Jashtme ajo që bën oferta të tilla. Riformatizimi apo ofertat në kuadër të këtij procesi janë ekskluzivitet i Zyrës së Kryeministrit dhe i vetë Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Sido që të jetë, burimet e Kosovapressit kanë bërë të ditur se oferta për Dugollin është bërë në mënyrë serioze nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›