E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet fitore për zgjedhjet, Kuzhe s'mendon për testime

TIRANE-Në raste normale, synimi duhet të ishte dhënia e shansit të rinjve, për të parë se cila është gjendja e tyre dhe nëse i vlejnë kombëtares për të ardhmen. Por, miqësorja me Irlandën e Veriut ka edhe një tjetër synim për trajnerin e ekipit kombëtar Josip Kuzhe: ai duhet të fitojë patjetër, pasi vetëm 6 ditë pas kësaj ndeshjeje janë zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në pamje të parë mund të mendohet se nuk ka ndonjë lidhje të madhe mes tyre, por FSHF kërkon një përmirësim të imazhit nga përfaqësuesja, duke parë se ajo është gjithnjë në qendër të vëmendjes së opinionit. Në fakt, Federata apo vetë presidenti i saj, është për-gjegjëse direkte për ekipin kombëtar, duke qenë se e drejta kryesore që i jep atij Statuti është pikërisht zgjedhja e trajnerit kuqezi. Kësisoj, fitorja ndaj Irlandës së Veriut vjen mbi të gjitha, ndonëse bëhet fjalë thjeshtë për një ndeshje miqësore. Një disfatë ndër-kohë do të bënte që rivalët e Dukës të kishin më shumë "kredite" në këto momente të fushatës. Burime nga grumbullimi i kombëtares në Durrës bëjnë të ditur se ekipit i është kërkuar të fitojë patjetër në këtë ndeshje, gjë që normalisht duhet të bëhet, por qëllimi kuptohet që është diku tjetër.
Të rinjtë
Trajneri Josip Kuzhe ndërkohë ka biseduar personalisht me 5 futbollistët që ka patur në grumbullim këto ditë dhe u ka shpjeguar se çfarë kërkon në fushën e lojës. Por, duket e qartë se testimi i të rinjve si Muzaka, Bakaj apo Vila, nuk është një mision i tij, të paktën ndaj Irlandës së Veriut. Kroati ka ndërmend të hedhë në fushën e lojës një skuadër sulmuese, me Skelën që do të veprojë pas Bogdanit e Salihit. Në mesfushë ndër-kohë rikthimi i Lalës ka rregulluar shumë gjëra, pasi mesfushori kuqezi i Hanoverit mund të luajë së bashku me Bulkun në qendër të mesfushës dhe Lorik Cana të luajë në qendër të mbrojtjes.
Grumbullimi
Përsa i përket grumbullimit, Kuzhe ka vazhduar edhe dje me 4 futbollistët e kampionatit shqiptar, Elis Bakaj, Emiljano Vila, Gjergji Muzaka e Andi Lila, si edhe Ervin Bulku që është i pranishëm në Shqipëri gjatë kësaj kohe. Dje është zhvilluar një seancë e vetme stërvitore, ndërkohë që sot kombëtarja do të vijojë me dy seanca në ditë. Në fakt, Kuzhe ka bërë thjeshtë punë individuale me futbollistët që ka në dispozicion, duke u shpjeguar atyre rolet dhe se çfarë kërkon nga ata në të ardhmen. Gjithsesi, ka pak shanse që ata të jenë në fushë në këtë miqësore me Irlandën e Veriut, pasi pritet të jetë e njëjta skuadër që ka luajtur edhe në eliminatoret e fundit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›