Duhet ndryshuar urgjentisht modeli!
• Saimir TahiriNë qoftë se sot do pyesim shqiptarët se kush është politikani që duan, cili është modeli i politikanit që do të votonin më shumë, me siguri në mos përgjigje të parë, si përgjigje të dytë do jepnin me shumicë: “Ai që mendon për popullin e jo për vete” ose gjithsesi një variant ndryshe të po kësaj përgjigjeje. Të gjitha variantet e mundshme të kësaj përgjigjeje duket se përmbajnë dhe vetë problemin. Qytetarët sot nuk e ndjejnë politikën dhe politikanin aq afër me problemet dhe hallet e tyre. Në shumicë qytetarët ndjejnë hapësirën që ndan politikën nga interesat e tyre, vakum ky që mesa duket vjen e shtohet. Kjo përgjigje ka fajtorë, por kurrsesi qytetarët, të cilët në këtë rast askush nuk mund t’i akuzojë për vizion të ngushtuar apo gjykim të cekët. Në kaq vjet pluralizëm, në publik është kalitur mirë figura e politikanit fodull dhe hileqar, që përulet para elektoratit sa herë kërkon votën, figura e politikanit që premton shumë e nuk bën asgjë, e atij që madje shfrytëzon mandatin për të majmur veten dhe të afërmit me interesa të diskutueshme. Për krijimin e kësaj situate, absolutisht që më mirë se gjithkush kanë kontribuar vetë politikanët, pra vetë ata që rëndom kanë fituar një mandat nga populli e pastaj kanë harruar ç’kanë thënë e ç’kanë premtuar, ata që duhet të ishin modeli i përkushtimit dhe zëri i komunitetit në forumet e shumta vendimmarrëse.Kjo shfaqje 17-vjeçare, ku aktorët janë duke luajtur për të kënaqur veten dhe jo publikun, ka krijuar standardin popullor, duke skalitur në imagjinatën dhe perceptimin e gjithkujt skepticizmin e thellë ndaj klasës politike, kategorizimin en block si të korruptuar, të babëzitur, vjedhacak, gënjeshtarë etj., etj. Dhe pikërisht ky mosbesim i theksuar i publikut ndaj klasës politike është ndoshta shkaku kryesor i apatisë qytetare, mungesës së vullnetit për të marrë pjesë në politikë, e shumë e shumë faktorëve të tjerë që jo vetëm shmangin qytetarët nga politika e proceset vendimmarrëse, por krijojnë mjedisin më pjellor për atë lloj politikani që tek ne është shumë i përhapur. Nga ana tjetër, një filozofi e re ka filluar të marri udhë, e bashkë me të edhe një aksion i gjithanshëm për të ndryshuar rrënjësisht këtë situatë alarmante, duke krijuar jo vetëm ura komunikimi solide dhe permanente ndërmjet qytetarëve dhe Partisë Socialiste, por edhe duke identifikuar aksionin kryesor politik me qytetarët në çdo cep të Shqipërisë.Ndërkohë që lloji i politikanit që rritet brenda atij një kilometri katror të “Bllokut”, duke ushqyer zakonet e vjetra e duke krijuar të reja edhe më të këqija, as nuk i shkon ndërmend të mendojë për interesa të tjera veç atyre të vetave, tarafit shoqëror apo familjar, është në formim e sipër një lloj tjetër politikani e politike, ajo që jeton duke u ushqyer me problemet e panumërta të shqiptarëve për të prodhuar nesër zgjidhje të vërteta. Këtij llojit të politikanit që rritet në inkubatorin e kafeneve të gallatës m’u në mes të Tiranës, as nuk i shkon ndër mend ndërsa gjerb shëndoshur kafenë e mëngjesit se pikërisht në atë moment, diku në ndonjë cep të Shqipërisë janë gdhirë njerëz që nuk dinë si do ngrysin, prindër që nuk shohin dot në fytyrë fëmijët e tyre se nuk kanë ç’të mirë t’u ofrojnë për sot e për nesër, fëmijë që kanë filluar maratonën kilometroshe në shi a në borë, për të shkuar në shkollën e fshatit tjetër se e tyrja nuk ekziston më, djem të rinj që ndoshta pikërisht në ato momente kanë nisur (pa ditur në do kthehen) rrugën e maleve për të punuar tokën e “efendikoit”, se të tyren e kanë lënë djerrë pa ia parë hajrin, ndërsa të tjerë, djem e vajza, prindër fëmijësh të vuajtur m’u në mes të Tiranës, janë duke përjetuar ditën e parë si të papunë të reformës pambarim në administratën shtetërore për t’i lënë vendin militantit të radhës që mban flamurin e partisë në pushtet. E ky soj politikani, që me gazetat e ditës gjerb kafenenë e mëngjesit, është akoma edhe më i keq se kaq, refuzon të shohë e të dëgjojë klithmën e vuajtur të mijëra shqiptarëve sot që varfëria i ka kapur prej fyti, refuzon të shohë realitetin e hidhur që bashkë me shokët e tij është duke gatuar për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Politikanë qytetarë mund të ketë, dhe gjen kudo, por politikanë pa qenë e pa ditur të jenë qytetarë, mos gabofsha, vetëm këtu mund të ketë, dhe është ky soji i vjetër i agallarëve që ngrysin ditën pa futur dorën në xhep, e as çmimin e bukës që po rritet dita-ditës nuk e dinë. E keqja nuk mbaron këtu me modelet tona. Ca më keq është takëmi i dy a tre shkronjësve që edhe përpjekjet për të reformuar radikalisht këtë sistem të kalbur mundohen t’i kthejnë në gallatën e radhës në dehje e sipër për të shkrojtur honorarin e tjetër. Edhe këta ca mos më keq se soji i vyshkur i politikanit të vjetër, bredhin tavolinave me njëri-tjetrin e bëjnë politikën e madhe. Modeli i shëmtuar i këtij lloj politikani dhe kësaj lloj politike duhet shembur me të gjitha kushtet. Është politikë qytetare të shkosh të dëgjosh minatorët e Bulqizës në Bulqizë, e jo nga ekrani i vogël i televizorit, të shohësh vendin ku jetojnë, si shtyjnë ditën me hijen e vdekjes që i shkon pas, të shohësh fëmijët e tyre, e kështu të kuptosh se bota shqiptare e politikës në mënyrë fatale vërtitet zymtë në këtë kilomentrin katror të bllokut për të nakatosur të zezat për pjesën tjetër të shqiptarëve. Është politikë qytetare të shkosh të flasësh me fermerët në fusha, të kuptosh hallet e tyre, ti shohësh nga afër e pastaj të kuptosh pse politika e politikanët nga zyrat e bukura e përpara kompjuterit mund t’ia kenë futur fare kot, duke i çuar dëm vite punë fermerëve e familjeve të tyre. Është politikë qytetare të shkosh në qytetet e vendit e të shohësh se si të rinjtë gjithë ditën e ditës i gjen në kafe a bilardo pa shkollë e pa punë, ndërkohë që fëmijët e sojit të politikanit tonë i gjen në universitetet e botës se paguajnë shokët e babit. Është politikë qytetare ajo që ngjizet bashkë me ta e jo në kafenetë e Tiranës apo korridoret e Parlamentit, ajo që vlerëson realitetin lokal në çdo zonë, e pastaj hedh në letër për të zbatuar nesër plane të qarta veprimi që mund të nxjerrin një herë e mirë vendin dhe qytetarët nga llumi i problemeve që këto vitet e fundit vetëm janë shtuar. Dhe e fundit, kush ka hallin e politikës së re mund ti bashkohet Dialog me Shqipërinë, të dëgjojë qytetarët e të mbajë shënim, ajo çka ata duan është asgjë më shumë se politikë e re. Gjithçka politika e politikanët e kësaj sëre kanë gabuar këto vite duke marrë nëpërkëmbë dinjitetin njerëzor të shqiptarëve është padyshim politika e vjetër nga e cila do ndahemi shumë shpejt. Politika e re si koncept nuk mbushet nga bisedat e tavolinës së agallarëve, por nxitet nga problemet e shqiptarëve të lodhur, nga ata që kanë shumë për të thënë, e mbushet nga zgjidhjet definitive e afatgjata që ky lloji i veçantë i politikanit të vjetër nuk mund ti realizojë dot. Na duhet modeli i ri, ai që ndërtohet bashkë me qytetarët.