E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po

• Ilva TarePër habinë e të gjithëve Edi Rama pranoi gojëplotë këtë javë atë që të gjithë e dinin shumë më herët. Në takimin me të rinjtë e tij të FRESSH-it kryetari i partisë më të madhe në opozitë pranoi se nuk është politikan. Deri këtu nuk ka ndonjë surprizë, pasi i mandatuari tri herë në krye të Bashkisë së Tiranës është shfaqur ...jo pak herë i kompleksuar për mospasjen e staturës së politikanit. Edhe betejat elektorale Edi Rama nuk i ka fituar me teza partiake apo ide të frymëzuara nga anëtarësia e majtë. Përkundrazi, i ofruar si prurje e shoqërisë civile, suksesi i tij është bazuar në dukjen sipërfaqësore dhe virtuale të një ish-piktori që e vetëmbahet për modern dhe që i vuri qëllim vetes t’i japë dritë kryeqytetit, duke e bojatisur me ngjyra të shpëlara dhe vizatime të mbathurash. Herë i shfaqur me sëpatë në dorë dhe herë si këngëtar sa me mikrofon aq edhe me megafon Edi Rama është stërmunduar të ndërtojë imazhin e politikanit klasik, që i mbyll punët heshturazi në tavolina, ku merren vendimet serioze prej burrështetasi. Problemi i Ramës është se që në fillimet e karrierës së tij, tamam atëherë kur ndonjë nga aleatët e sotëm të së majtës e shihte si idhull nuk diti të sillej si politikan. As në rastet kur dërgonte lule në Athinë dhe i kërkonte Nanos ta mbante sekret nga Meta, dhe as në ditët kur frika për t’u përballur me drejtësinë nuk i linte asnjë pikë dinjiteti, sikundër pohojnë vetë bashkëpunëtorët e tij. Ata, bashkëpunëtorë të paktë të mbetur ende në llogoren partiake, sepse dihet që pjesa më e madhe janë larguar jashtë Shqipërisë ose janë biznesmenë të rëndësishëm ndërtimi në Tiranë. Edi Rama u shfaq përpara FRESSH-istëve si një qytetar i malluar për një Shqipëri më të mirë, më pak të varfër, më shumë dinjitoze. Kryetari i socialistëve e pranoi publikisht partisë së tij atë që paraardhësi e thotë prej kohësh, që Edi Rama nuk është politikan e për pasojë nuk ka as vizionin dhe as peshën e duhur të një shtetari të nesërm.Edi Rama e ka pothuaj të pamundur të luajë me kartën e të qenurit qytetar si ai hallexhiu i Martaneshit, Konispolit apo Bathores që përmend me entuziazëm në fjalimet e fundit me gjuhë populiste. Ka shumë arsye që e bëjnë Ramën jo vetëm një piktor në tentativë, por edhe një aktor të keq të përdorjes së dhimbjes për pak më shumë pushtet.  Pikësëpari, Edi Rama mbetet vetëm një vizitor kalimtar i skamjes që deklaron se po i këput shpirtin, pasi siç pohon dhe ai vetë nuk është politikan dhe nuk ka aftësi për të frymëzuar ide dhe platforma që reformojnë dhe përmirësojnë jetesën e shqiptarë. Së dyti, ai nuk mund të kuptojë plotësisht si ndjehet dikush që jeton në një haur me lopën në Lurë dhe nuk kursen plumbat as mbi motrën e tij. As librat e tij mbi filozofinë dhe artin, nuk mund t’ia sjellin tek oda e vilës që i ka huajtur miku i tij, britmën e asaj pjese të shoqërisë që është e dëshpëruar për civilizim. Dhe me civilizim nuk nënkuptoj fotografitë nudo apo natyrën ekstroverse, sidomos ndaj më të dobëtëve, të Ramës.   Se fundi, Edi Rama nuk është qytetar si gjithë të tjerët që ai pretendon se mirëkupton dhe frymëzon, sepse kryetari i opozitës ka zgjedhur të jetë i pasinqertë me të ngjashmit e tij. Ai po lyp të vijë në pushtet si një njeri jo politikan kur e di më së miri se politikanët kanë për destinacion postin e Kryeministrit që ai ëndërron dhe se udhëheqësit e turmave mbeten jashtë strukturave drejtuese, siç atij vetë duhet t’i ndërmenden fillimet në Partinë Demokratike. Në këtë pikë, Edi Rama e konfuzoi edhe më shumë opinionin për qëllimet e tij dhe mbi të gjitha për ambiciet që devijojnë dita-ditës si potpuria e ngjyrave të çorapeve të tij.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›