E Diel, 1 Nëntor 2026

“Duhet të kemi 100, jo 140 deputetë”/ Rama paralajmëron ndryshime kushtetuese: Në fund të mandatit…

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar reformë të re kushtetuese, me fokus në fund të këtij mandati parlamentar.

Gjatë fjalës së tij në mbyllje të takimit me Grupin Parlamentar të PS, Rama theksoi se është koha për të ngritur një grup nismëtar që do të ketë në fokus pikërisht këtë, ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri ripërsëriti edhe njëherë nevojën, sipas tij, që parlamenti ka për t’u zvogëluar në numër.

“Duhet të mendohet përveç të tjerësh edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese. Ne e kemi shtruar qysh në krye të këtij mandati nevojën që parlamenti i Shqipërisë të zvogëlohet në numër. Kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund të jetë me 100 vetë, gjë që do ta mirëpriste publike, gjë që do të racionalizonte forcat dhe burimet. Ka edhe aspekte të tjera që duhen rivizituar nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, dinë çfarë lexojnë, kur vjen puna te Kushtetuta e Shqipërisë.

Duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces. Natyrisht është shumë më tepër se sa një reformë zgjedhore, apo reformë territoriale. Kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime etj. Por duhet nisur kjo punë. Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë një reformë kushtetuese”, tha Rama.

LEXO EDHE: “Deputetët e shumicës, si spektatorë teatri”/ Rama: Do ndërpriten “orët me forcë”, fund rrugaçërisë në Parlament

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›