Duka: Rama nuk ka profilin e një shtetari. Është si fëmija tekanjoz që sharron që e kanë rrahur me shuplaka
Agron Duka, ish- ministër në kohën e socialistëve dhe aktualisht kandidat i Partisë Republikane, në një intervistë për revistën Klan, thotë se Edi Rama nuk ka profilin e një shtetari të ardhshëm.
Amatoresk me politikën si profesion, butaforik me rolin historik, cinik me socialistët, fodull me zgjedhësit dhe mbi të gjitha, pa profilin e një shtetari të ardhshëm. Zoti Rama, në 8 vjet ka qenë njëherë për një PS përtej të majtës dhe të djathtës, pastaj për të majtën e bashkuar në 2007; e përçau të majtën në 2009 duke shkaktuar humbjen e radhes, një ditë flet mirë për Metën, Nanon, Gjinushin, Milon, Meidanin si lidership i majtë e ditën tjetër i mallkon. Tani është rikthyer tek një e majtë e bashkuar, por një e majtë që nuk ka as bisht e as kokë. Është butaforike ajo që po ndodh këto ditë me konfliktin se kush do të jetë kryeministri i Rilindjes, Rama apo i rilinduri Meta Cinik me socialistët, është cinike ajo që ka ndodhur me ndryshimet kushtetuese në 2008, të cilat janë plaga e vërtetë politike e vendit: Kushtetuta e votuar nga populli, në 2008 ndryshohet brenda natës pa as më të voglën transparencë; cinik sërish pas 21 Janarit, ribashkimi i tij me Metën dhe LSI është një ribashkim i motivuar politikisht me të drejtën e të dyja palëve, i mbylli derën e ankimit çdonjërit që kish qenë në greve urie apo në 21 Janar, ndryshe përjashtohej. Fodull me zgjedhësit dhe bazën, duke mos dëgjuar fare zërat që vijnë nga poshtë. Mua deshte të më kandidonte në Berat, Arben Malajn diku tjetër, në Korçë të parin dhe të dytin nuk e ka fare nga Korça, e shumë kolegë të tjerë me investim dhe vlera politike dhe shtetare i ka mënjanuar. Por mbi të gjitha unë Ramën nuk e shoh si një kryeministër të ardhshëm, të aftë për tu sjellë institucionalisht me parlamentin, me politikën, me demokracinë, pa aftësitë e nevojshme diplomatike dhe politike që i përkasin një kryeministri nga vend anëtar i NATO-s, tha Duka.
I pyetur se çfarë përshtypje i bën moskandidimi i Arben Malajt, Duka shprehet: Përshtypjen që veç të tjerave, z.Rama është edhe një fëmijë tekanjoz që nuk ua harron fëmijëve të tjerë që kur ishte më i vogël e kanë rrahur me shuplaka; nuk ja harron Malajt kandidimin, por mesa duket kompleksi shtrihet edhe më tej: Arben Malaj është i vetmi harvardist i PS-së, njeri me shumë kontribute i cili përballë një piktori surrealist e një fëmije tekanjoz, duhet të ndëshkohet siç e ka ndëshkuar. Por historia vazhdon/ep