Dule: “Opozita, pa vizion strategjik, dështimet u janë faturuar partive aleate”
PBDNJ braktis koalicionin e PS, duke e cilësuar kryetarin e saj si të paaftë të bëjë opozitë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk do të jetë pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit. Një fakt i tillë, është zyrtarizuar nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Duke. Në një deklaratë për mediat, Dule thotë se PBDNJ-ja do të krijojë koalicion më vete me dy ose tre parti të tjera, emrat e të cilave nuk i ka bërë të ditur. Lidhur me ndarjen nga Partia Socialiste, Dule shprehet se me këtë forcë politike, kanë pasur shumë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara.
Duke mos pranuar ta quajë veten aleat të PS-së, por thjesht një opozitar, Dule kritikon pa rezerva Partinë Socialiste për mënyrën sesi ka drejtuar opozitën këto vitet e fundit. “Ne për disa aspekte, shpesh herë të parëndësishme, ndajmë qëndrime të ndryshme me Partinë Socialiste. Edhe për mënyrën e të bërit opozitë, ne kemi kërkuar një opozitë më koherente, me një vizion strategjik dhe taktika koherente dhe efikase. Gjë që ka munguar. I takonte asaj që ta kishte orientuar aktivitetin opozitar në drejtime të tjera, që do ta kishin vënë në pozitë shumë më të vështirë sesa është sot qeverinë”, shprehet Dule.
Ai shprehet se mënyra sesi PS-ja bërë opozitë gjatë viteve të fundit ka dhënë kosto për partitë aleate, por edhe kosto për vendin. “Partia Socialiste gjatë këtij 4-vjeçari, nuk dha shumë beteja politike dhe disa beteja të tjera, i dha vetëm pjesërisht dhe këto, sigurisht që kanë dhënë efektet e tyre në këto katër vite, që u janë faturuar partive respektive. Por ajo çka është më e rëndësishme, u janë faturuar zhvillimeve politike”, tha Dule.
Kreu i PDBNJ-së komenton dhe koalicionin e ri ku do të marrë pjesë, por pa dhënë detaje. “Është një kënaqësi që kjo ide e hedhur prej vitesh, ka shanse që për momentin teorike, që të realizohet. Sesa dhe se si mbetet për t’u parë. Kjo kërkon guxim politik nga forca politike të caktuara, duke mënjanuar egoizmat dhe duke ja vënë të gjitha resurset, normalizimit të klimës politike”, tha Dule.
Ai ndalet dhe në situatën politike në vend. Dule shprehet se dy forcat kryesore politike, duhet që të kishin gjetur kohë më përpara konsensusin, për procesin e integrimit. “Duhet të ishte gjetur kohë më parë konsensusi mes dy aktorëve më të mëdhenj të politikës, PD dhe PS dhe me konsensus integrimi i vendit të ishte vendosur mbi ballafaqimin politik të ditës”, tha dje kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Partia Socialiste organizoi pak ditë më parë tryezën e partive të koalicionit. PS-ja pritet të shkojë në zgjedhjet e 23 qershorit me 26 parti politike, ndërkohë që nga koalicioni i saj pas vitit 2009, është larguar PBDNJ dhe Partia Demokristiane me kryetar Nard Ndokën, e cila do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, në zgjedhjet e ardhshme.