Rama bën lëmsh të vetët, humbet me mazhorancën

Pa asnjë vizion dhe duke urdhëruar bashkëpunëtorët e vet që të marrin pamjen e të paaftëve, si në KQZ, ashtu edhe në parlament, Edi Rama po mundohet që t’ua faturojë dështimin vartësve, duke punuar për alibinë që do e mbajë në krye të partisë, edhe pas 23 qershorit. Me një program që ndryshon përditë, kryesocialisti po bën lëmsh të vetët, pasi kështu e ka më të thjeshtë të bashkëndajë një humbje të sigurtë elektorale
Edi Rama po konfirmon përditë shprehjen e tij, “nuk jam politikan!”. Përçarja e thellë e opozitës ditët e fundit është në sinkron me përçarjen e grupit parlamentar të PS, në një anë deputetë të konfirmuar dhe deputetë jashtë listës.
Strategjia e Ramës është bërë sikur ka një strategji politike për të ardhur në pushtet. Në fillim e nisi me një fushatë destabilizuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me fjalëkalimin gueril “po na vjedhin mandatet” dhe urdhëroi çetën në KQZ të pengonte një votim të ndarjes së mandateve të deputetëve me pretendimin se Ministria e Brendshme kishte manipuluar regjistrin e Gjendjes Civile.
Kjo strategji e Ramës u vërtetua empirikisht e gabuar dhe në një tentativë pendimi kërkoi korrigjimin e vendimit në KQZ, ndërkohë që procedura e ndarjes së mandateve kish kaluar tashmë në Kuvend. Me fjalë të tjera, PS-ja pasi e bllokoi këtë proces në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkoi ta rikthejë sërish aty, duke deklaruar jashtë çdo parashikimi, se do të votojë atë skemë të ndarjes së mandateve që u refuzua dy muaj më parë, nga vetë PS. Anëtarët e opozitës në KQZ u shprehën se tashmë kishin në dispozicion informacionin e nevojshëm dhe mund të votonin vendimin që kanë refuzuar ta votojnë më parë. Mund të duket absurde strategjia e Ramës, por ajo është e vetmja strategji bllokimi. Strategjia e frenimit është një strategji që e njeh mirë sepse është stërvitur muaj e fundit e pengimit të procesit të integrimit.
Ndërkaq nuk mjafton të bëjë lëmsh Partinë Socialiste në ethe elektorale duke mbajtur në fshehtësi listën e deputetëve, por çdo ditë e më shumë po i firojnë aleatët nga koalicioni opozitar. Së fundmi pas largimit të Nard Ndokës, zyrtarisht është larguar edhe Vangjel Dule i PBDNJ, i cili nuk ka lënë gjë pa thënë për mënyrën sesi Edi Rama ka bërë opozitë vitet e fundit. Dule shprehet se mënyra sesi PS-ja bërë opozitë gjatë viteve të fundit ka dhënë kosto për partitë aleate, por edhe kosto për vendin. Partia Socialiste organizoi pak ditë më parë tryezën e partive të koalicionit. Në takim mungoi PBDNJ dhe u largua brenda 10 minutash Paskal Milo, i fyer për mënyrën sesi Rama i trajton me gënjeshtra. Ndërsa Edi Rama zëvendësoi dy anëtarët me elektorat të koalicionit me katër formacione komuniste dhe Kurt Kolën, duke nxjerrë një imazh qesharak të opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Në këtë pikë opozita e sotme është në momentet e saj më të ulëta, edhe pse Rama mundohet ta fshehë më fabrikimin e sondazheve, sipas strategjisë së profecisë që realizohet. Rama deklaroi një ditë në Durrës se do të fitojmë 74 deputetë, ndërsa të nesërmen në Tiranë tha se do të fitojmë 72 deputetë me shpresën se njerëzit nuk kanë kujtesë.
Sigurisht brenda natës kishin firuar 2 deputetë të opozitës që përkthehet në frikë për deputetët e PS. Kjo tallje me grupin e tij parlamentar që i mban varur për të ardhmen si deputetë dëften një shef opozite të dobët që nuk frymëzon fitoren.
Sidoqoftë kreu i opozitës pa opozitë po shkon drejt zgjedhjeve me një strategji humbëse. Ndërsa Rama flet për taksë progresive, nga ana tjetër kryeministri Berisha realizon rritje të re me 10 për qind pagave dhe pensioneve, po ashtu mban taksën e sheshtë dhe heq taksën për makineritë e importit duke stimuluar kështu rritjen ekonomike që mundësoi imunizimin e vendit nga kriza ekonomike botërore që gjunjëzoi dy vendet fqinje.
Sikurse sulmi ndaj të pasurve i Edi Ramës me shprehjen “me mua do të gjejnë belanë” asnjëherë nuk ka ndihmuar të varfrit dhe kjo politikë është elaboruar nga arkivat e Partisë së Punës të Shqipërisë.