Dule refuzon ftesën, Berisha: Kujdes, Vangjel!
Dule ka kërkuar qeveri teknike. Më pas zhvillon takim me liderin e PS-së, Edi Rama.
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha, i cili pretendon se është fitues në këto zgjedhje, i ka bërë ofertë edhe kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, që të jetë pjesë e qeverisjes.
Por, kryetari i PBDNJ-së, duke i qëndruar paktit të firmosur me PS-në para zgjedhjeve, ka deklaruar dje se nuk ka ndërmend të bëjë qeveri më Berishën, por të kërkojë krijimin e një qeverie teknike, që do të plotësonte të gjitha kushtet, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Këtu po diskutojmë për çështje madhore dhe ideale dhe ju po më flisni për pazare anadollake.
Nuk janë në karakterin tonë. Nuk jemi shquar dhe nuk do t'i hyjmë tani tundimit të këtij lloj pazari",- tha Dule. Për pasojë, kryetari i PBDNJ-së u shpreh se duhet një qeveri solide, e dalë nga zgjedhje të ndershme dhe rregulla loje demokratike, rreptësisht të respektuara.
"Në këto kushte, këtyre sfidave, vendi ynë mund t'u përgjigjet me sukses vetëm me një qeveri teknike, me agjentë të mirëpërcaktuar në obligime dhe në kohë, e cila krahas të tjerash do të garantojë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të duhen më në fund edhe në vendin tonë të zhvillohen konform atyre standardeve që respektohen në të gjitha vendet e qytetëruara",- tha Dule.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Sali Berisha. "Unë e dëgjova Vangjelin, por i them atij dy gjëra: Në politikë "asnjëherë mos thuaj kurrë". Së dyti: Unë i dola borxhit atij. Kur u ndava me të, i thashë vetëm kaq: Vangjel kujdes!", tha Berisha.
Ndërkohë, nisur nga rezultati paraprak i zgjedhjeve, ku PBDNJ-ja arriti të fitonte vetëm një deputet, kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, ka deklaruar se, procesi zgjedhor do të jetë pjesë e analizës së strukturave të kësaj partie. Menjëherë pas konferencës për shtyp, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama, larg vëmendjes së medias.