Dumani: Bardhi nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Kreu i SPAK, Altin Dumani iu përgjigj sot interesit të medias për dosjen “Xibraka”, për të cilën kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit.
Dumani gjatë një takimi informal me gazetarët u shpreh se ka nisur një hetim për këtë dosje, e cila është rihapur, por sqaroi se nga ana e Gazment Bardhit nuk ka asnjë kallëzim.
Dumani u pyet nëse ka bërë kallzim PD, pas një shkrese që ka nxjerrë në rrjetet sociale Gazment Bardhi, sipas së cilës rezulton që është hapur dosja “Xibraka”.
“Po, SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për dosjen “Xibraka”, po hetohet. Ne kemi disponuar mosfillimin dhe thuhet qartësisht që nuk ka bërë kallëzim Bardhi”, deklaroi Dumani.
/r.e/