Dumani: Indiferent ndaj akuzave të politikës, pasurinë e kam të deklaruar

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani duke iu përgjigjur sulmeve të Presidentit të Lirisë, Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se nuk impresionohet nga sulmet e politikanëve, ndaj tij dhe punës.
“Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që t’i ndjek”, theksoi Dumani në një intervistë për RTSH.
Kreu i SPAK tha se “jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë”.
“Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që t’i anashkaloj”, tha Dumani.
Duke folur për akuzat e Berishës ndaj pasurisë së tij, Dumani tha se “nuk kam pse i jap përgjigje akuzave të Berishës për pasurinë, por i jap përgjigje publikut taksapaguesve shqiptarë, të cilët bëjnë të mundur edhe ushtrimin e punës së SPAK dhe times si drejtues i SPAK, pasi nga taksat e shqiptareve paguhemi”.
“Pasuria ime dhe kushdo që është i interesuar të shkojë të marrë dokumentet, dokumentacionin e administruar nga Vetingu proces i monitoruar nga ndërkombëtarët. Nuk kam asgjë për të fshehur të gjitha pasuritë që kam i kam deklaruar burimet e të ardhurave dhe çdo detaj të jetës sime dhe të familjes sime”, nënvizoi Dumani.
E kam të deklaruar, vijoi Dumani, dhe çdo gjë është produkt i punës time 25-vjeçare dhe familjes sime dhe patjetër i kredive të marra madje një kredi është marrë në 2006 që kam blerë një nga pronat e mia kur ishte në pushtet Berisha.
“Dy apartamente janë para 2013, një është pas 2013. Kam 25 vite punë dhe më njohin shumë, komuniteti i gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe gazetarëve të kronikës. Kurrë në jetën time nuk kam pranuar jo përfitim të parregullt, jo rryshfet qoftë edhe një dhuratë që tejkalon shumën prej 100 dollarësh që është detyrim ligjor. Kurrë, kam bërë pakt me veten dhe me familjen time që do i përkushtohem kësaj pune. E dua këtë punë e bëj me pasion”, tha Dumani.
/k.s/j.p/