Dumani: Nuk kemi agjendë politike, krimi i organizuar shqiptar rrezik real

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani deklaroi sot se SPAK nuk vepron mbi bazën e një agjende politike dhe se krimi i organizuar shqiptar është rrezik real.
Në një intervistë për RTSH, Dumani foli për sulmet politike dhe ato të krimit ndaj prokurorëve të SPAK.
Dumani vuri në dukje se për sa kohë sulmet politike mbeten në rafshin retorik nuk janë problem.
“Kur ngre lartë stekën duke ushtruar ndjekje penale ndaj subjekteve të profilit të lartë në fushën e korrupsionit apo krimit të organizuar edhe reagimi është i pritshëm. Sulmet politike, sa kohë mbeten në rafshin e retorikës nuk na shqetësojnë fare. Duhet të jemi të vëmendshëm në momentin që politika merr masa të ndryshme ligjore që minojnë pavarësinë e institucionit”, tha Dumani.
Por, shtoi ai, shqetësim mbeten kërcënimet e krimit të organizuar. Kjo, pasi sipas tij, nga të tilla kërcënime vihet në rrezik jeta e prokurorëve dhe familjarëve të tyre.
“Jemi të shqetësuar, pasi vihet në rrezik jeta e prokurorëve dhe familjarëve të tyre. Të shumta janë rastet që janë kërcënuar prokurorët e SPAK, apo edhe familjarët e tyre. Kam në konsideratë edhe krimin e organizuar shqiptar, që në vlerësimin tim, dhe jo vetëm, edhe të agjencive me të cilat punojmë është shumë i rrezikshëm. Nuk është rrezik imagjinar, por është rrezik real”, deklaroi kreu i SPAK-ut.
Ai theksoi se krimi i organizuar shqiptar është i orientuar kryesisht drejt trafikimit të drogave të forta.
“Nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende në Evropë, deri në Amerikën Latine. Kemi shtuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim me Italinë, kemi grupe të përbashkëta hetimore. I kemi dhënë goditje të mëdha krimit të organizuar. Kemi bashkëpunim me Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Anglinë, por dhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi etj. Shumë figura të larta të hetimit ndërkombëtar kanë vizituar SPAK. Kemi shumë punë për të bërë dhe ka nevojë për intensifikim dhe duke pasur parasysh këtë nivel bashkëpunimi besoj se do të ketë goditje të tjera. Ne kemi bërë një analizë për grupet kriminale të organizuara për fuqinë e tyre financiare. Fusha më e preferuar është investimi në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, hoteleri etj. Kemi sekuestruar 6 milionë euro kesh gjatë këtij viti”, tha Dumani.
Dumani më tej u shpreh se SPAK-u nuk vepron mbi bazën e një agjende politike.
“Një pjesë të dosjeve i kam pasur në hetim edhe pa marrë drejtimin e SPAK-ut. Një nga premtimet që kam bërë në KLP ka qenë se do të vijoja të hetoja çështjet që kam pasur në hetim. Ka dhe çështje të tjera që kanë çuar në zgjerimin e grupit të hetimit. Të gjithë prokurorët dhe stafi kanë kontribute. Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ia jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika. Reagimet e mia janë institucionale dhe jo emocionale. Kam kompetenca, por ato janë të reduktuara në raport me prokurorët e çështjeve”, tha kreu i SPAK, Dumani./j.p/