E Enjte, 5 Nëntor 2026

Dumani për rolin e policisë: Duhet bërë dallimi mes shumicës, nga një pakicë e inkriminuar

TIRANË, 22 maj/ATSH/- Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit sot në Komisionin e Ligjeve deklaroi se janë të shurdhët nga çdo lloj retorike politike dhe se orientohen vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare.

“Ne kemi marrëdhënie institucioniale dhe proceduriale me funksionarët dhe ish-funksionarët e shtetit. Kjo është marrëdhënia që Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar me funksionarë apo ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Institucioniale dhe proceduriale në rastet kur duhet të thirren në rolin e të hetuarit, të pandehurit apo edhe të deklaruesit para Prokurorisë së Posaçme. Ne jemi të shurdhër nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi dhe jemi të përgjegjshëm vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare”, është shprehur Dumani.

Kreu i SPAK është pyetur lidhur me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.

“Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të Policisë së Shtetit të cilët janë të dedikuar me mish e me shpirt, janë të angazhuar ditë-natë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të distancojmë këtë pjesë për të cilën kemi respekt dhe mirënjohje për ta, nga një pakicë e inkriminuar”,

Ai tha se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është në parametra pozitivë ku në përgjithësi është ruajtur një mesatare konstante.

Drejtuesi i SPAK tha se në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të korruptuar të Policisë së Shtetit.

“Unë kam patur në konsideratë në atë deklarim timin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, rezultatin e hetimeve të kryera nga SPAK nga viti 2020 deri në 2023 lidhur me subjektet, punonjës të Policisë së Shtetit të proceduar penalisht dhe më rezulton se janë proceduar penalisht rreth 70 punonjës policie nga Prokuroria e Posaçme. Dhe siç është bërë publike dhe unë nuk mund ta fsheh na kanë rezultuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë  me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik. Ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, bashkëpunojmë përditë, kemi hetime të përbashkëta përditë”, u shpreh drejtuesi i SPAK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›