E Diel, 1 Nëntor 2026

Dumani takim dy-ditor në Bruksel, ambasadori Gonzato: BE do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK

Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, zhvilloi një vizitë dyditore intensive në Bruksel, ku u takua me drejtuesit më të lartë të institucioneve europiane përgjegjëse për zgjerimin, drejtësinë dhe luftën kundër mashtrimit.

Në axhendën e takimeve ishin:

-Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR
-Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme e OLAF
-Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST
-Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos
-Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin Magnus Brunner

Të gjithë zyrtarët e lartë europianë vlerësuan me tone të forta punën e SPAK-ut, duke e cilësuar atë si “institucionin më të besueshëm dhe efektiv” në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Lidhur me takimin dy-ditor të Dumanit në Bruksel ka reaguar edhe Ambasada e BE në Shqipëri. Sipas ambasadorit Silvio Gonzato: “BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›