E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: Kënaqem edhe me një pikë në VlorëDy skuadrat pas 30 javëve kanë grumbulluar të njëjtë pikësh: nga 33

Partizani do të përballet të shtunën për herë të gjashtë me fituesin aktual të Kupës së Shqipërisë, Flamurtarin, duke futur këtu tri ndeshjet për Kupë e tri për kampionat.

Dy skuadrat pas 30 javëve kanë grumbulluar të njëjtë pikësh: nga 33, duke krijuar një diferencë prej dy pikësh me Elbasanin e Lushnjën (të dyja nga 31 pikë), që ndodhen nga ana e tyre në zonën “play-out”.

Flamurtari, që përveçse fitoi Kupën e Shqipërisë (për herë të tretë gjatë historisë së tyre) realizoi edhe rikthimin në Europë, do të luajë ndeshjen e parë para publikut të tij pas pronësimit të trofeut të dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

Rruga e Flamurtarit drejt finales nisi pikërisht me eliminimin në çerekfinale të Partizanit (u luajtën tri ndeshje për shkak të parregullsive me aktivizimin e lojtarëve), për të vazhduar me Shkumbinin në gjysmëfinale (incidentet shoqëruan takimin e dytë në Peqin me goditjen e gjyqtarëve italianë) e mposhtjen në finalen e “Niko Dovanës” ndaj Tiranës.

Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, i cili drejton të kuqtë nga java e 9-të, nuk ishte në bankinë në humbjen 1-0 të fazës së parë (gol i Mate Brajkoviçit), takim ky i vlefshëm për javën e 6-të, pasi në drejtimin e të kuqve ishte atëherë paraardhësi i tij, Hasan Lika.

Në fazën e dytë, Partizani fitoi 2-0 në kryeqytet, por asnjëri nga dy autorët e golave të atij takimi (java e 17-të), Dritan Babamusta e Elis Bakaj nuk do të jenë në ndeshjen e kthimit, i pari për plotësim kartonësh dhe i dyti, tashmë si pjesë e Dinamos.

“Një pikë në Vlorë është shumë e rëndësishëm për ne, duke ditur dhe kalendarin që kemi. Flamurtari është një kundërshtar serioz, për më tepër që porsa ka fituar Kupën”, - tha ish-ndihmësi i trajnerit të Kombëtares, në kohën kur drejtonte Oto Bariç.

Partizani pas Flamurtarit do të përballet me Elbasanin në kryeqytet për ta mbyllur kampionatin në Lushnjë.

Kur duhen edhe tri javë nga përfundimi i sezonit e janë akoma 9 pikë në lojë, Flamurtari ka 33 pikë, Partizani (33), Elbasani (31), Lushnja (31), Apolonia (29) e Bylisi (28). Një luftë e ashpër për të mbijetuar në Superligë, pasi ekipet përballen direkt midis tyre në javët e fundit.

RENDITJA

Vllaznia             60
Tirana             59
Dinamo             52
Shkumbini             44
Teuta             44
Besa                 40
Flamurtari         33
Partizani             33
Elbasani             31
Lushnja             31
Apolonia             29
Bylis             28

Java e 31-të
(09.05.2009)

Tirana-Shkumbini
Vllaznia-Dinamo
Bylis-Besa
Apolonia-Teuta
Flamurtari-Partizani
Lushnja-Elbasani

Java e 32-të
(16.05.2009)

Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani

Java e 33-të
(23.05.2009)

Tirana-Vllaznia
Bylis-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani

E Premte, 08 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›