Duro, shpjegime në Prokurorinë e Elbasanit: Nuk do tërhiqem
Denoncimi i trajnerit të ekipit të Besës së Kavajës, Shpëtim Duro, për dhunën e ushtruar ndaj tij nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi, ka marrë formën e një çështjeje. Pas kallëzimit të bërë në datën 8 prill në Komisariatin Nr.2 të Tiranës, çështja i është kaluar Prokurorisë së Rrethit të Elbasanit, ku edhe pritet të zhvillohet gjyqi. Pikërisht gjatë mesditës, tekniku nga kryeqyteti ka mbërritur në dyert e kësaj prokurorie për të dhënë shpjegime në lidhje me incidentin me kryebashkiakun Ilir Rrushi, pas ndeshjes Shkumbini-Besa në 7 prill të këtij viti. Trajneri Shpëtim Duro është marrë në pyetje për afro 90 minuta nga prokurorja Pranvera Stafa. Ndërkohë që pas daljes nga Prokuroria e Rrethit të Elbasanit, tekniku i Besës ka dalë para mediave për të dhënë prononcimin në lidhje me zhvillimet e fundit. Duro u shpreh se ai është i vendosur që t’i shkojë deri në fund çështjes gjyqësore në fjalë, për të cilën ai ka bërë denoncimin ndaj kryebashkiakut peqinas. Sipas Duros, në këtë veprim të tij të ligjshëm është inkurajuar edhe nga shoqata e trajnerëve profesionistë, sepse incidenti me kryetarin e Bashkisë së Peqinit, i ndodhur për shkak të detyrës, është jashtëzakonisht i rëndë dhe duhet që të bëhet shembull sipas ligjit. Mësohet se, edhe pse ka pasur tentativa nga ana e kryebashkiakut të Peqinit që ta tërheqë denoncimin, ai është shprehur se “nuk kam ndërmend t’i jap fund kështu kësaj historie, e cila duket se do të mbyllet vetëm pas një vendimi të gjykatës së këtij rrethi”. Po ashtu Duro ka rrëfyer se gjatë periudhës rreth dyjavore, që nga momenti i incidentit e deri dje, qytetari nr “1” i Peqinit nuk ka reshtur së tentuari për ta sqaruar këtë çështje në mënyrë private mes tyre, që nënkupton tërheqjen e denoncimit nga trajneri i kavajasve. Por tekniku nuk bindet në këtë mënyrë. Në fakt, ai lë të kuptohet se kjo situatë një zgjidhje e kishte: gjithçka mund të sheshohej nëse zoti Rushi do të kishte bërë një kërkesë publike për falje në media. Por kjo nuk ka ndodhur deri dje, çka e ka shtyrë Duron t’i drejtohet gjykatës. “Këto tentativa i kam refuzuar, sepse para së gjithash nuk më janë dukur normale, përderisa kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi, gjatë këtyre dy javëve nuk më ka kërkuar falje publike, por ka bërë të kundërtën, duke e mohuar incidentin e rëndë me mua, për të cilin ka edhe dëshmitarë dhe jam i vendosur që ta ndjek ligjërisht çështjen deri në fund dhe kam besim se drejtësia do ta thotë fjalën e saj, pavarësisht se kush është objekt i hetimit dhe i gjykimit në këtë rast”, ka përfunduar Duro. Kësisoj, pritet që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit të përcaktojë masën e arrestit për kryebashkiakun në fjalë.
#