Kryebashkiaku Rushi rrezikon burgun

Shpëtim Duro e ka mundur dy herë brenda dy javësh Shkumbinin (në Kupë dhe në kampionat), por tashmë i ka mbetur një betejë e tretë për të fituar, ajo ndaj kryebashkiakut të Peqinit, Ilir Rrushi, me të cilin do të përballet së shpejti në Gjykatën e Elbasanit. Gjithçka e ka zanafillën nga ndeshja e kthimit mes Shkumbinit dhe Besës për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, të zhvilluara më 7 prill në Peqin. Ngjarja ka ndodhur në fundin e një sfide të tensionuar, ku kavajasit fituan me rezultatin 1-0. Në dhomat e zhveshjes, Duro është goditur me grushte nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushaj dhe nga zv.trajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi. Për shkak të goditjeve të marra, tekniku i njohur i kavajasve ka humbur ndjenjat për afro 10 minuta, ndërsa ka pësuar edhe dëmtime në sy. Situata ka qenë e tensionuar gjatë gjithë ndeshjes. Sikurse është bërë e ditur, ndeshja ka qenë e tensionuar që prej fillimit të saj, dhe në qendër të ofendimeve dhe presionit ka qenë pikërisht Duro, i cili në përfundim të saj do të shndërrohej edhe në viktimë e dhunës së ushtruar nga zëvendëstrajneri i peqinasve, Dervishaj, por edhe nga kryetari i bashkisë së qytetit, Rrushi. Vetëm 24 orë më vonë, ish-ndihmësi i trajnerit kroat të Kombëtares, Oto Bariç, bëri denoncimin në Komisariatin Nr.2 në Tiranë. Ngjarja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit të Elbasanit dhe më në fund dje çështja ndaj kryebashkiakut peqinas ka marrë jetë. Duro, i shoqëruar edhe nga avokati i tij, pjesë e studios ligjore “Haxhia-Hajdari”, ka mbërritur në dyert e kësaj prokurorie për të dhënë detaje rreth zhvillimit të ngjarjeve. Menjëherë pasi ka dalë nga institucioni i akuzës, trajneri i Besës ka theksuar se është “i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje nga ana ligjore”. Një fakt i tillë është shumë e mundur t’i hapë “punë” numrit një të Bashkisë së Peqinit. Për momentin ende nuk është e qartë nëse është formuluar akuza ndaj zotit Rrushi. Megjithatë, burime të besueshme pranë kësaj prokurorie bëjnë të ditur se ai rrezikon ngritjen e akuzës “goditje për shkak të detyrës”, e cila klasifikohet si vepër penale që ndëshkohet nga gjobë, deri në tre vite burg. “Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit i cili kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë, ose me burgim deri në tre vjet”, shkruhet në nenin 237 të Kodit Penal. Tashmë kjo çështje është destinuar të vazhdojë dhe në ditët në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe vetë kryebashkiaku. Ndërsa zëvendëstrajneri i Shkumbinit, Dervishaj, tashmë është përjashtuar përjetë nga futbolli, me vendim të Komisionit të Disiplinës në FSHF.
#