Durrës- Plagosje me armë zjarri, dy të dyshuar në kërkim nga policia

Policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas pas një konflikti të ndodhur të enjten pasdite, ku një 35-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
“Rreth orës 17:45, në zonën e Shkafanës, dyshohet se gjatë një konflikti, shtetasi A. D., 35 vjeç, ka plagosur me pistoletë shtetasin M. J., 35 vjeç. Viktima ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve, dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.”, njoftoi policia.
Shërbimet e Policisë, sapo morën njoftimin, shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta, ata arritën të identifikojnë autorin e dyshuar, A. D., si dhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin R. A.. Të dy personat janë shpallur në kërkim dhe shërbimet policore janë vënë në ndjekje të tyre për kapje.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/