Izraeli paralajmëron Iranin në OKB: Nëse i riktheheni programit bërthamor, s’do ju kursejmë

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon ka deklaruar se Izraeli do të veprojë nëse Irani rifillon rikthimin e programit bërthamor apo krijimin e armëve bërthamore.
Ai vuri nw dukje se politika e vendit për të parandaluar ambiciet bërthamore të Teheranit mbetet e pandryshuar.
“Ne kemi aftësitë për të ditur saktësisht se çfarë po bëjnë ata. Nëse shohim se po kthehen në të njëjtën rrugë, kur të jenë atje, atëherë duhet të marrim një vendim. Shpresoj se ata e kanë kuptuar se jo vetëm Izraeli, por edhe SHBA-të, do të ndjekin nga afër atë që po ndodh në terren” tha ai.
Danon u shpreh se qëndrimi i Izraelit mbetet ai i mbikëqyrjes strategjike.
“Ne e kemi bërë këtë për shumë vite – derisa arritëm në një pikë pa kthim, dhe pastaj vepruam. Tani po monitorojmë dhe vëzhgojmë nga afër atë që po ndodh në terren”, theksoi Danon.
Ai nuk pranoi të thoshte nëse Izraeli do t’i përsëriste operacionet e tij në Liban dhe në tokën iraniane.
“Nuk do të hyj në atë që mund të bëjmë në të ardhmen, por shoh se ç’do ndodhë në fund të lojës: Irani nuk do të ketë aftësi bërthamore. Kjo është diçka që nuk mund ta pranojmë. Kur pamë regjimin duke lëshuar raketa në spitale dhe zona civile, kuptuam se ata do të përdorin çfarëdo që kanë kundër nesh. Nuk mund t’i lejojmë ata të posedojnë armë të shkatërrimit në masë ose të kërcënojnë ekzistencën tonë”, vijoi ambasadori izraelit.
Izraeli dhe Irani janë aktualisht në një armëpushim të brishtë pas një lufte 12-ditore.
Fushata izraelite goditi vendet bërthamore, ushtarake dhe strategjike në të gjithë Iranin.
Në kundërpërgjigje, Irani lëshoi një valë raketash balistike dhe dronësh drejt qyteteve izraelite.
Shtetet e Bashkuara ndërhynë në fazën e fundit të konfliktit, duke kryer sulme ajrore dhe goditën tre objekte bërthamore iraniane.
Kjo shënoi veprimin e parë të drejtpërdrejtë ushtarak të SHBA-së në infrastrukturën bërthamore të Iranit.
/rtsh.al/