E Martë, 3 Nëntor 2026

Durrës- Vidhnin dhe trafikonin vepra arti, në pranga roja pranë parqeve arkeologjike dhe 1 tjetër

Dy persona kanë rënë në pranga të policisë këtë të shtunë pasi shisnin statuja dhe ikona të vjedhura.

Në pranga ranë Pëllumb Leka 53 vjeç me banim në Fier i cili ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike si roje dhe Emanuel Çaço 56 vjeç me banim në Lushnje.

“Leka duke përfituar nga fakti se ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër dhe më pas në bashkëpunim me Çaçon i trafikonin me qëllim përfitimin, njofton policia.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit IKONAT në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, duke lëvizur me një automjet në të cilin gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.

Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro.  

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›