Durrës, Berisha: Parlamenti do u rikthehet qytetarëve, vetëm kur aty të zbatohet Kushtetuta

Sali Berisha ka nisur nga Duurësi lëvizjen që ai e cilëson “Aksioni i Fitores”. Këtë e bëri të ditur gjatë një takimi me mbështetës të tij në qytetin e madh bregdetar.
Sipas tij, nga dita e sotme nis aksioni për mbjelljen e shpresës dhe krijimin e ortekut që do të përmbysë regjimin.
Berisha deklaroi se aksioni i opozitës në parlament ka nisur pasi Rama nuk lejon që deputetët opozitarë të paraqesin ligje.
“Parlamenti do u rikthehet qytetarëve vetëm kur Kushtetuta të zbatohet aty. Edi Rama është një bandit pa asnjë moral e parim, që iu thotë juve që përmbysët diktaturën se kë do të mbështesni. Çfarë ndodh në parlament? Ka një muaj që ne, deputetët tuaj, për ju, për votën tuaj, për idealet tuaja, kemi filluar protestën, sepse ne, jashtë çdo lloj imagjinate, ky horr i shtetit, nuk na lejon të paraqesim ligje. Ky kriminel nuk na lejon krijimin e komisioneve që Kushtetuta e ka me ligj. Parlamenti do u rikthehet qytetarëve vetëm kur Kushtetuta të zbatohet aty. Deputetët e parlamentit janë të vendosur për sakrificë sublime njëlloj si në vitin 1991. Qytetarët e Durrësit bënë copa këtu përmendoren e Enver Hoxhës, në Shkodër të Stalinit, njësoj si Kavaja që përmbysi diktaturën. Sot të gjithë jemi të thirrur në fushë për aktet e guximit. Në parlament çfarë po bëjmë? Ne e dimë që ai nuk i plotëson kërkesat, por ne do qëndrojmë deri në pikën e fundit. Sepse ne duhet të vrasim frikën te të tjerët. Këto janë akte, simbole të guximit, por duhen për të vrarë frikën. Se ka ngjallur frikë ky biri i xhelatëve. Ka ngjallur frikë te qytetarët. Pra, ka një kohë sot, ka një kohë për çdo demokrat. Shumë nga ju mund të keni menduar se ne duhet të zgjedhim emër tjetër. Jo, ne nuk do zgjedhim emër tjetër. Ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë”, tha Berisha.
/rtsh.al/