E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, Imami viziton anijen amerikane ushtarake USS- “Gunston Hall”

DURRES- Ministri i Mbrojtjes Arben Imami vizitoi sot, anijen zbarkuese amerikane DSS- “Gunston Hall”, e cila është e ankoruar në Portin e Durrësit.

Ministri Imami u prit nga komandanti i Flotës së Gjashtë Amerikane Vice Admiral (Admiral me tre yje) Frank Pandolfo dhe komandanti i anijes DSS - “Gunston Hall”, Kapiten i Rangut të Parë John P. Jeffcoat.
Më pas, ministri Imami dhe personalitetet e tjerë vizituan dhe panë nga afër ambientet e anijes, duke filluar nga ura e komandimit, sistemi i armatimit, qendrën e përpunimit të informacionit luftarak, lokalet e brendshme, lokalet e akomodimit dhe të ushqimit, bordin e helikopterëve, kuvertën e poshtme, mjetet e marinsave etj.

Ndërsa komandanti i Flotës së Gjashtë Amerikane, Vice Admiral (Admiral me tre yje) Frank Pandolfo, tha se vij pas nëntë vitesh në Portin e Durrësit dhe ndajmë me ju interesa të përbashkëta dhe do të vazhdojmë të forcojmë më tej marrëdheniet dhe bashkëpunimin tonë me ju, si anëtarët më të rinj të NATO-s.
Ai gjithashtu theksoi se do të vazhdojmë t’ju mbështesim në të gjitha fushat dhe drejtimet për konsolidimin e plotë të FA-së shqiptare në NATO.
Në mënyrë të veçantë Vice Admiral Frank Pandolfo shprehu mirënjohjen e thellë për trupat paqeruajtëse shqiptare në misionet e tyre në Irak dhe Afganistan.

Të pranishmit i përshëndeti edhe zv.ambasadorja amerikane në Tiranë, Debora Jones. Anija zbarkuese amerikane DSS- “Gunston Hall” ka ardhur në Portin e Durrësit në kuadër të partneritetit global dhe të bashkëpunimit me flotat e vendeve të Europës Juglindore për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë në këtë rajon.

Kjo anije ka si mision transportimin e marinsave dhe pajisjve të tyre luftarake në vende të ndryshme të botës ku ka situata kërcënuese, në mbështetje të operacioneve amfibe, përfshirë këtu edhe uljen dhe ngritjen e helikopterëve.

Anija DSS- “Gunston Hall” ka një tonazh prej 16.581 ton dhe një ekip prej 685 trupa. Ditën e premte, më 27 prill, anija zbarkuese amerikane DSS- “Gunston Hall” do të demonstrojë një stërvitje të përbashkët me Qendrën Ndërdikastetriale Operacionale Detare (QNOD) në Durrës.

Gjatë qëndrimit në Portin e Durrësit ekuipazhi i anijes amerikane do të zhvillojë vizita në disa qendra turistike e historike të qytetit të Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Krujës dhe të Beratit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›