Durrës; Nis prishja e 700 ndërtimeve pa leje
Më në fund Inspektorati i Ndërtimit, që ka për detyrë ligjore prishjen e objekteve pa leje dhe të gjitha shtesave që bllokojnë qarkullimin normal të qytetarëve, ka dalë nga përgjumja e gjatë. Pas një heshtjeje dyvjeçare, ajo është ndjerë përsëri. Fadromat e saj kanë prishur një sërë objektesh, të cilat kanë rezultuar si të paligjshme. Lokale, mure rrethuese, shkallë e gardhe janë objektet të cilat kanë nisur të rrafshohen. Në Durrës janë evidentuar disa qindra objekte pa leje, të cilat do të jenë në fokusin e policisë së ndërtimit. Gjatë gjithë kësaj jave, banorët e qytetit të Durrësit janë kujtuar se ekziston edhe Inspektorati i Ndërtimit i bashkisë. Fadromat të drejtuara nga ky inspektorat kanë rrafshuar disa objekte të paligjshme, bile edhe në mes të qytetit. Fadromat prishën shkallët e një pallati në ndërtim e sipër, pasi kishin zaptuar pa leje gjysmën e trotuarit. Gjithashtu u prish edhe një lokal tip kioskë në qendër të qytetit, pasi rezultoi pa leje. Prishjet nuk u shoqëruan me probleme nga pronarët, të cilët ishin njoftuar sipas ligjit disa ditë më parë. Aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Afrim Baku, kryeinspektor i Ndërtimit në Bashkinë e Durrësit, deklaroi se “puna për prishjen e ndërtimeve pa leje ka nisur pas vendimeve të marra nga bashkia. Për këtë qëllim për disa ditë me radhë janë evidentuar në Durrës ndërtimet e paligjshme, për të arritur deri këtu qyteti është ndarë në disa zona”. Inspektorët kanë evidentuar rreth 700 ndërtime pa leje. Të tilla janë shkallë prej betoni, gardhe shtëpish, lokale e bare të tipit kioskë, shtesa katesh nëpër pallate të ndryshme, të cilat nuk kanë kaluar në proces legalizimi e të tjera të kësaj natyre. Fillimisht do të prishen 150 objekte të paligjshme, të cilat janë evidentuar në zonën e parë të qytetit. Kishte kohë që në Durrës fadromat ishin kyçur nëpër garazhde. Aksionet e fundit datojnë dy vjet të shkuara, ku më të bujshmet qenë prishjet që u realizuan në rrugën e ish-Kënetës, si ndërhyrjet për prishjen e objekteve pa leje tek tregu agro-industrial.
A. Ajazi