E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, deti i trazuar, tragetet vonesa prej 7-8 orë

DURRËS- Tragetet e linjave Durrës- Bari dhe anasjelltas janë nisur me vonesa prej disa orësh nga portet përkatëse. Lajmi bëhet i ditur nga kapiteneria e portit të Durrësit.

Stuhia detare dhe era e fortë me drejtim nga juglindja e ka bërë të pamundur nisjen e trageteve mbrëmjen e kaluar drejt portit të Barit. Të dy tragetet e linjës janë nisur vetëm sot në orët e para të ditës dhe e njejta situatë është raportuar edhe nga kolegët tanë italianë në portin fqinj.

Tragetet "Ionis" dhe "Riviera del conero" parashikohet të mbërrijnë në Durrës rreth orës 16.00, shtuan burimet. Ndërkaq, reshjet e shiut që nisën sot në orët e para të mëngjesit kanë bllokuar përkohësisht punën për përpunimin e anijeve tregtare në portin më të madh të vendit.

Gjatë ditës pritet që era të ketë të njejtin drejtim, nga juglindja, ndërsa temperaturat e ajrit në mesditë do të arrijnë në 8 gradë celsius. Deti i trazuar me forcë 6-7 ballë ka penguar lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël dhe të motopeshkatoreve, përfunduan burimet e kapitenerisë.

VLORË: RESHJE TË DENDURA SHIU
Mëngjesi sot në gjirin detar të Vlorës ka nisur me reshje të dendura shiu, të cilat parashikohet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.
Sipas burimeve, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit.
Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 10-12 gradë celcius dhe ato minimale nga 6-8 gradë celcius.
Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›