Durrës, detyrim paraqitje për 5 elektrecistët
DURRES- Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë për pesë punonjësit e CEZ-it, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së premtes, pasi zbatuan urdhrin e CEZ Shpërndarje për tu ndërprerë energjinë ndërmarrjeve të ujësjellësit. Gjykata vendosi detyrim paraqitje për të pestë të ndaluarit, Lulzim Kupa, Dodë Dema,Dervish Dervishi, Artan Osmani dhe Indrit Hana, të cilët kanë qëndruar në ambientet e Policisë së Durrësit.
Kolegë dhe familjarë të të arrestuarve u shprehën dje se ata kanë bërë vetëm detyrën që u ka ngarkuar eprori i tyre dhe nuk kanë bërë shkelje ligjore. Ata kërkuan nga drejtuesit e Policisë që të nxjerrin elektricistët nga qelia dhe në vend të tyre të fusin shefat që u kanë dhënë urdhrin për shkëputjen e energjisë elektrike në ujësjellës. Dje situata e furnizimit me ujë në Durrës ishte normale.
Kompania çeke, CEZ hoqi energjinë për ujësjellësit në të gjithë vendin ditën e premte duke zhytur Shqipërinë në kaos.