E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, mbërrin me traget turku i vdekur

 

Ozgen Huseyin Erol ka gjetur vdekjen në ujërat greke por trupi i tij është sjellë së bashku me anijen në Shqipëri

Në momentin që ka humbur jetën viktima ishte duke bërë masazh. Mister shkaqet e vdekjes

DURRËS- Një shtetas turk ka vdekur teksa udhëtonte me traget drejt portit të Durrësit. Ozgen Huseyin Erol ishte duke bërë masazh në mjediset e anijet por papritur ka gjetur vdekjen. Trupi i tij i pa jetë ka udhëtuar nga ujërat greke deri në portin e Durrësit, ku ishte destinacioni i anijes. Duke qenë se trupi i tij ka ardhur në Shqipëri, policia e Durrësit ka nisur hetimet për ngjarjen.

Në portin e Durrësit, në mesditën e kaluar, ka mbërritur anija turistike “Dalmacia”, në bordin e së cilës ka qenë edhe një turist i huaj i vdekur. Ngjarja i është bërë e ditur autoriteteve të policisë së kufirit, të cilët kanë vënë në lëvizje edhe grupin hetimor për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes së turkut Ozgen Hyseyin Erol. 73-vjeçari, i lindur dhe banues në Nesvehir të Turqisë, ishte nisur së bashku me shumë shtetas të tjerë të huaj në një udhëtim shtatëditor që do të prekte disa porte dhe së fundi do të rikthehej në portin turk. I moshuari thuhet se është gjetur në gjendje kritike për jetën në një nga dhomat e tragetit ku ishte futur për hidromasazh. Personeli mjekësor është vënë në dijeni për gjendjen kritike të 73-vjeçarit nga masazhatorja. Në kohën që mjeku i tragetit ka shkuar në dhomën e hidromasazhit ka vërejtur se shtetasi turk ishte rrëzuar në dysheme pa ndjenja, kurse masazherja i ofronte ndihmë duke tentuar t’i bënte frymëmarrje artificiale. Në deklarimin e tij për grupin hetimor të Policisë Gjyqësore në Durrës, mjeku ka pohuar se për 40 minuta është tentuar me të gjitha mundësitë për ta mbajtur në jetë të moshuarin por të gjitha përpjekjet kanë rezultuar të paefektshme. Gjithçka, sipas ekspertëve të policisë, ka ndodhur në kohën kur anija me turistë të huaj gjendej në kanalin e Korinthit në ujërat greke.

Kjo anije ishte nisur nga porti i Izmirit më datë 12 korrik dhe për shtatë ditë do të përshkonte në itinerarin e saj disa porte mes tyre dhe Durrësin. Në kohën që anija i është drejtuar ujërave shqiptare ka ndodhur edhe e papritura për ekuipazhin e tragetit. Trupi i pajetë nuk ka lëvizur nga trageti në portin e Durrësit deri sa ka shkuar grupi hetimor, ndërsa anija turistike është detyruar të qëndrojnë një ditë më shumë në këtë port për efekt të përpilimit të dosjes si dhe të pyetjes së turistëve dhe ekuipazhit. Krahas vdekjes natyrale që mund të ketë ardhur nga bllokimi i frymëmarrjes së të moshuarit po hetohet edhe mundësia e përdorimit të ndonjë medikamenti që stimulon aftësitë fizike. Burime policore thonë se në trupin e viktimës nuk është vërejtur asnjë shenjë dhune duke përjashtuar në këtë mënyrë çdo aludim lidhur me ndonjë grindje të çastit në traget. Ky është i dyti rast që në portin e Durrësit autoambulanca e spitalit detyrohet të transportojë për në morg shtetas të huaj që kanë vdekur gjatë udhëtimit të tyre për në brigjet shqiptare. Dy vite më parë, një marinar italian ka vdekur teksa trageti ku ai shërbente kishte ndaluar në kalatën e portit të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›