E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet, deputetët akuzojnë njëri-tjetrin për spiunllëqe

 Majko: Të mos diskutojnë njerëzit me konflikt interesi. Beja: Jam i kontrolluar nga dy komisione

TIRANË- Debati për “spiunët” ka përfshirë edhe Komisionin parlamentar të Ligjeve. Të mbledhur dje për herë të dytë për të diskutuar hartimin e një projektligji të integruar për hapjen e dosjeve, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë përfshirë në debate të forta, ku natyrisht, përveç diskutimeve mbi procedurat që do të ndiqen deri në kalimin e kësaj çështje në seancë plenare, nuk kanë munguar as akuzat mes tyre për implikim në të shkuarën e errët të ish-Sigurimit të Shtetit. Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, duke marrë shkas pikërisht nga tejzgjatja e një debati të tillë dhe këmbëngulja e demokratëve për të marrë si projektligj bazë, mbi të cilin do të punohet, draftin e Partisë Demokratike, ka kërkuar që në diskutime të mos përfshihen ata deputetë që kanë konflikt interesi, duke lënë të kuptohet qartë se anëtarë të këtij komisioni kanë dosje. “Moralisht dhe sinqerisht do të kërkoja që kush ka konflikt interesi këtu është më mirë të mos diskutojnë fare”,- u shpreh midis të tjerave deputeti socialist Pandeli Majko, i cili është propozues i njërit prej tre drafteve të depozituara në Kuvend. Pavarësisht se nuk ka përmendur ndonjë emër të veçantë, fjala e Majkos ka provokuar kreun e komisionit, Fatos Beja, i cili duket se është ndjerë i prekur direkt nga një deklaratë e tillë. Ai ka deklaruar para komisionit, se figura e tij është kontrolluar nga dy komisionet e mëparshme që kanë vepruar gjatë vitit 1996 dhe 1997-2001. “Bëre gabim që e the këtë fjalën e fundit, pasi je deputetë i vjetër ashtu si unë dhe kemi kaluar nga dy komisione kontrolli, si ti dhe unë. Kështu mos të flasim për këtë çështje. Ne duhet të bëjmë një ligj që të shkëputemi nga e kaluara dhe nuk duhet ta paragjykojmë”,- reagoi Beja. Por përveç këtij debati, mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve për këtë çështje, megjithëse zgjati fare pak, është shoqëruar me diskutime intensive midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës për mënyrën se si do të procedohet më tej për hartimin e një drafti të integruar. Kështu, kryetari i komisionit Fatos Beja nisur edhe nga fryma e mungesës së një konsensusi paraprak mes palëve, i ekspozuar sidomos në mbledhjen paraardhëse, kërkoi që komisioni të niste punën duke punuar mbi draftin e paraqitur nga PD dhe aty të bëheshin më pas nen pas neni dhe integrimi i projektligjeve të tjera. Por një propozim i tillë ka hasur në oponencën e opozitës e cila ka shprehur se komisioni nuk mund të punojë me tre apo katër drafte njëkohësisht.

Fino: Për ligjin të vijë Gazidede dhe Klosi

TIRANË- Duke e parë të pamundur që të diskutohet për tre drafte njëherësh, deputeti socialist, Bashkim Fino ka deklaruar dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve që dy relatorët, në rast se gjejnë gjuhën e përbashkët, të punojnë për një projekt të integruar dhe në fund të lihen ato nene që nuk bien dakord. Por në të njëjtën kohë,

Fino ka bërë dhe një propozim tjetër konkret që deputetët relator të thërrasin për ekspertizë dhe dy ish-drejtorët e SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe Fatos Klosi. “Specialistë të fushave si Gazidede apo Klosi mund t’i thërrasim dhe të na japin ndonjë sqarim më të hollësishëm”,- tha Fino. Por këtij debati i kanë dhënë fund vetë dy relatorët të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë dhe të përgatisin një draft të integruar për ato pika për të cilat mund të bihet dakord, ndërsa për nenet ku do të ketë kundërshti të vendosë komisioni.

Debati

Fatos Beja:

“Për shkak të mungesës së një konsensusi herën e kaluar ne si komision jemi të shtrënguar që të marrim një projektligj bazë dhe mbi të të integrohen amendamentet e tjera, në mënyrë që ne të ecim nen pas neni”.

Bashkim Fino:

“Është shumë e vështirë që ne të hapim këtu tre materialet. Dy relatorët, në rast se gjejnë gjuhën e përbashkët, të punojnë sot deri nesër të gjejnë ato që janë të përbashkëta, për të bërë një projekt të integruar dhe në fund të lihen ato nene që nuk bien dakord dhe për këto të diskutojmë ne. Ndërkohë që specialistë të fushave si Gazidede apo Klosi që mund t’i thërrasim dhe në japin ndonjë sqarim më të hollësishëm”.

Beja:

“Ne nuk mund të bëjmë këtu bashkime mekanike të të tre projektligjeve, por do të marrim një projektligj dhe të punojmë mbi duke e integruar me nene të ndryshme të projektligjeve të tjera. Do të marrim ligjin që është më i plotë më i gjatë dhe që është regjistruar më parë në Parlament. Ta vendosim me votë se cilin projektligj do të marrim”.

Spiro Peçi:

“Ne s’mund t’i imponohemi relatorëve se cilin draft do të marrin për bazë, pasi ata s’mund të marrin asnjë dhe mund të integrojnë një draft tjetër. Le ta zgjedhin vet se cili duhet të jetë varianti që do të paraqesin në Komisionin e Ligjeve”.

Aldo Bumçi:

“Unë mendoj se emërtesa për draftin nuk është çështje thelbësore. Ne do të ulemi dhe do të shohim nëse do të dalim me një variant përfundimtar dhe nëse nuk dalim dot do të vijmë në komision me mendimet alternative që do të diskutohen nen për nen dhe aty ku nuk biem dakord, do të kemi dy variante për nenin përkatës”.

Arben Isaraj:

“Vendosja e afateve që nesër të jemi me një projekt nuk mund të pranohet, ose mund të ecim me nene gradualisht”.

Pandeli Majko:

“Në rast se ka elementë që nuk e realizojnë momentin e përbashkët, atëherë s’kemi pse të ngarkojmë relatorët për të gjetur me domosdo konsensusin. Moralisht dhe sinqerisht, do të kërkoja që kush ka konflikt interesi këtu është më mirë të mos diskutojë fare”.

Beja:

“Bëre gabim që e the këtë fjalën e fundit, pasi je deputetë i vjetër dhe kemi kaluar nga dy komisione kontrolli, si ti dhe unë. Kështu mos të flasim për këtë çështje. Ne duhet të bëjmë një ligj që të shkëputemi nga e kaluara dhe nuk duhet ta paragjykojmë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›