E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, në gusht priten muzikantët me famë botërore Goran Bregoviç e Laurent Wolf

Tiranë, 10 Korrik NOA - Dy net "Eagle Summer Nights" në kompleksin Tropikal të plazhit të Durrësit, me tingujt mahnitës të Goran Bregoviç dhe performancën e shkëlqyer të Laurent Wolf.

Dy këngëtarët do të performojnë në Durrës më 8 dhe 9 gusht në kompleksin "Tropikal", njoftoi sot, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile.

Ajo tha se duke sjellë dy artistë jo shumë të ngjashëm në profil muzikor, por të dy të pëlqyer nga kategori të ndryshme të publikut, dëshmon edhe një herë se u kushton një vëmendje dhe kujdes të veçantë abonentëve të saj rinorë.

Rinia shqiptare do të përjetojë dy net të vërteta festive nën tingujt ballkanikë dhe ritmet e kompozitorit të mirënjohur në Evropë dhe më gjerë, Goran Bregoviç, i cili rikthehet pas tre vjetësh në Shqipëri.

Bregoviç vjen për të performuar krijimet e tij më të mira, si "Maki, maki", "Policia", "Underground Tango", "Hop, hop, hop" etj.

Ndërkaq, jo më pak e rëndësishme pritet të jetë paraqitja e Laureat Wolf i njohur si producent i Triba-House dhe DJ i disa hiteve mjaft të dëgjuara ngado në diskotekat botërore.

Wolf me kompozimet e tij si Saxo apo Calinda ka qëndruar për një kohë të gjatë në majë të klasifikimeve.

Në vitin 2008 ai arriti suksesin më të madh duke fituar çmimin DJ më i mirë i World Music Awards në Monako. Vlen të përmendet që hiti i tij No stress ka qëndruar në top-listën franceze.

a.k/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›