E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, nis ekspedita shqiptaro-gjermane në amfiteatrin antik

DURRËS- Në amfiteatrin antik të Durrësit ka nisur këto ditë punimet një ekspeditë shqiptaro-gjermane.

Drejtori i drejtorisë rajonale të monumenteve, Ermion Arapi, tha se projekti shqiptaro-gjerman drejtohet nga dr. Eduard Shehi, i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Thekla Shultz-Brie, nga universiteti i Shkencave të Aplikuara të Regensburgut (Gjermani).

Kjo është faza e parë e projektit me karakter studimor dhe topografik, vijoi drejtori Arapi, sipas të cilit, arkeologët dhe studiuesit gjermanë synojnë hartimin e një planimetrie për shfrytëzimin e arenës së monumentit si auditor i hapur koncertesh dhe shfaqjesh artistike.
Amfiteatri i Durrësit ka ngjallur prej kohësh interesimin e specialistëve të huaj. Javën e kaluar në pjesën e tij jugore përfundoi fushata e shtatë e gërmimeve dhe studimeve, që po realizohen në bashkëpunim me Universitetin “Gabriele D’Annunzio” të Chieti-Pescarës (Itali).

Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar në fundin e shekullit të 1-rë pas erës sonë. I mbuluar prej disa shekujsh nga dherat e kodrës, ai u zbulua nga arkeologu i nderuar Vangjel Toçi në vitin 1966. Ai është monumenti më i madh i antikitetit që është zbuluar në vendin tonë, ndërsa hapja e plotë e tij është penguar nga disa banesa që ngrihen mbi pjesën lindore të amfiteatrit.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›