Durrës, plagos bashkëshortin në organet gjenitale pas dhunës sistematike që ushtronte mbi të
30-vjeçarja Leonora Zaçellari ka zbrazur një karikator të tërë mbi burrin e saj Përparimin, 36 vjeç, por vetëm 2 plumba e kanë kapur në trup. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen 17, në zonën e ish-kënetës në Durrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, bënë me dije se shkak për krimin është bërë dhuna sistematike që 36- vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Pas krimit, ka qenë vetë gruaja që ka njoftuar policinë dhe është vetëdorëzuar. Ndërkohë, 36- vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e dy plumbave që ka marrë.
Mësohet se Përparimi ka debatuar me bashkëshorten e tij, Leonorën, e cila sapo ishte kthyer nga puna, ku punonte si rrobaqepëse prej disa vitesh. Grindja ka degjeneruar në dhunë, dhe 36-vjeçari e ka tërhequr prej flokësh dhe e ka goditur me grushte e me sende të tjera në kokë e në trup bashkëshorten. 30- vjeçarja ka rrëmbyer armën e krimit, tip pistoletë, dhe ka qëlluar plot 6 herë në drejtim të bashkëshortit. Përparimi ka marrë 2 plumba në trup, një në krah dhe tjetrin në organet gjenitale. Vetëm plumbat kanë mundur ta ndalin 36-vjeçarin që të mos e godiste më gruan.
“As djali dhe as nusja nuk janë kriminelë, por njerëz të ndershëm. Sherre e debate mund t’i ndodhin kujtdo në familje, nuk e di pse ndodhi kjo gjë”, – është shprehur për GSH-në Hyseni Zaçellari, babai i Përparimit.
Ndërsa fqinjët theksojnë se kohët e fundit Përparimi kishte mbetur pa punë dhe konsumonte shumë alkol./A.XH