E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, pranga një 36-vjeçari në kërkim ndërkombëtar për shfrytëzim prostitucioni

DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar sot një 36-vjecar të dënuar në Itali. Ai është shtetasi Daniele Sula i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe për marrëdhënie seksuale me të mitura. 

Operacioni i policisë u finalizua në zonën e Plazhit të Durrësit, ndërsa mësohet se ky shtetas kërkohej nga Interpoli për një sërë veprash penale, kryer në Itali.

“Shtetasi në fjalë, i cili u arrestua me qëllim ekstradimin, mban identitetin e mëposhtëm: Daniele Sula (ndryshuar në 2009-ën nga Dajlan në Daniele), vitlindja 1977, lindur ne Elbasan dhe banues në Durrës. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Firences në Itali, me vendim të Tetorit 2008 e ka dënuar me 8 vjet, 5 muaj e 23 ditë burgim për veprat penale të prostitucionit, marrëdhënieve seksuale me të mitura, skllavërisë dhe kërcënimit, sipas Kodit Penal italian. Kapja e këtij shtetasi u realizua pas mesditës, gjatë kohës kur ai ndodhej në një lokal në zonën Plazhit. Personi në fjalë do të qendrojë nën arrest deri në kryerjen e procedurave të ekstradimit me qëllim vuajtjen e dënimit”, thuhet në deklaratën e policisë.

Po sipas policisë, ndryshimet në identitetin e tij mendohet se kanë pasur si qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe shmangien e hetimit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›