E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Jahjaga: Siguria ende është e sfiduar

PRISHTINË- "Ne jemi të vetëdijshëm se siguria e Kosovës ende është e sfiduar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm", tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Gjatë përurimit të ndërtesës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Jahjaga theksoi se "jam e bindur se përkushtimi ynë për t'i mposhtur këto sfida, për të ruajtur rendin kushtetues dhe vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, kurrë nuk do të vihet në dyshim".

"Puna dhe vigjilenca juaj do të vazhdojnë të jenë thelbësore për sigurinë e Kosovës dhe të aleatëve të saj sepse si institucione të vendit kemi marrë mbi supe të garantojmë lirinë e qytetarëve, paqen dhe rendin demokratik të Republikës së Kosovës", tha ajo.

Presidentja Jahjaga u shpreh se "Kosova e sotme është realizim i ëndrres së gjatë dhe zbatim i një vizioni të qartë të udhëheqësisë dhe qytetarëve të saj me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një vend të pavarur dhe demokratik, prosperues dhe faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë".

"Përparimi dhe përvoja e Republikës së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe ndërtimin e institucioneve për të garantuar vlerat mbi të cilat është bazuar shteti ynë është një rrëfim suksesi i jonë i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar që e bën historinë më të fundit të Kosovës një shembull global të shtetndërtimit dhe angazhimit të pashembullt ndërkombëtar", përfundoi Jahjaga.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›