Durrës, qëllohet me breshëri plumbash autobusi, plagosen dy persona
Dy persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Ngjarja u shënua rreth orës 7:00 në rrugën e re të Kënetës në Durrës.
Nga hetimet paraprake mësohet se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri tip automatik, në drejtim të autobusit që transportonte punëtorët drejt ndërmarrjes së rrobaqepësisë Filanto.
Si pasojë kanë mbetur i plagosur rëndë shoferi i autobusit Albert Gjeçi dhe mjekja Xheni Doka, e cila ka marrë plagë të lehta në krah.
Sipas dëshmitarëve të traumatizuar që kanë parë gjithë skenën, autori i plagosjes, i cili ishte i pajisur me skafandër, pasi ka qëlluar në drejtim të autobusit, është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ku mësohet se gjendja e drejtuesit të mjetit Albert Gjeçi, 47-vjeç lindur në Spitallë dhe banues në lagjen 4 është e rëndë, pasi ai është shtruar me urgjencë në reanimacion, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
Ndërkohë, mjekja Xheni Doka ndodhet në gjendje më të mirë pasi ka marrë plagë të lehta në krah.
Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes dhe objektivi i të shtënave me armë, ndërkohë policia ka nisur hetimet për kapjen e autorit.