Durrës, shtohen rastet e dhunës në familje
Dhuna në familje si dhe rastet e denoncimeve janë shtuar shumë në Durrës.
Dhuna në familje si dhe rastet e denoncimeve janë shtuar shumë në Durrës. Sipas statistikave policore rezulton se prej janarit deri sot ka mbi 60 raste të tilla të denoncuara në Drejtorinë e Policisë, nga ku kanë dalë edhe urdhrat e mbrojtjes ndaj tyre. Burime policore thane dje për standard: Është rritur dhuna në familjet durrsake, statistikat tona, konstatojnë fenomenin e rëndë në rritje. Duke u bazuar në statistikat policore, gjatë vitit 2008 në qarkun e Durrësit u shënuan 84 raste të dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve, kurse në 3 muajt e parë të vitit 2010, dhuna me shënjestër gruan u shtua në masën 70%, duke arritur në 60 raste të reja. Që nga fillimi i vitit 2010 e deri në këtë periudhë të muajit mars rastet e depozituara në polici numërohen në afro 60 raste të tilla. Shumë punonjës të OJF-ve në Durrës deklarojnë se është e vërtetë se dhuna në familje është dyfishuar vitet e fundit, por në nivele të tilla kaq të larta ajo ka ekzistuar gjithmonë, por fenomeni ka qenë i fshehur, pasi gruaja nuk guxonte të denonconte. E të njëjtit mendim është edhe psikologia Arjana Konduri, e cila u shpreh për standard se aktualisht shoqëria shqiptare e sidomos gruaja është duke u emancipuar vazhdimisht. Është bërë shumë me futjen pak vite më parë të ligjit 9669, i cili mbron gruan nga dhuna fizike dhe psikologjike. Sipas saj: Ai është një ligj shumë i mirë, i kërkuar me forcë nga OJF-të dhe gratë e dhunuara, i cili ka gjetur vazhdimisht përkrahjen e Policisë së Shtetit dhe të gjyqësorit. Në këtë mënyrë, ligji u ka hequr grave frikën për të denoncuar burrin, ndaj zhveshja nga kjo frikë ka bërë që të shtohet numri i denoncimeve në polici. Për sa i përket kërkesëpadisë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes (ligj i 18 dhjetorit 2006), detyrimet specifike të policisë nuk kanë të bëjnë me praninë fizike të forcave të rendit në afërsi të shtëpive të grave të dhunuara. Policia merr urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtje për viktimat e dhunës, të cilat janë verbale (me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem kur prania e policisë është fizike, pasi kërcënohet jeta e gruas). Policia garanton vendimet e gjykatave si dhe ndëshkimet që ajo u jep dhunuesve. Zonja Konduri tha: Tashmë gratë kanë kurajën për të denoncuar dhe se ato nganjëherë vijnë në polici edhe me shenjat e freskëta të dhunës në trup apo fytyrë, në raste të rënda, të cilat janë të rralla, kur mjeku ligjor konstaton plagosje nga dhuna, atëherë në bazë të provave dhunuesi arrestohet dhe përgjigjet para drejtësisë për këtë vepër penale.