E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikim dosjeve për zotërimin e tokës

18/03/2010 Ndihma Ekonomike, njësitë vendore përfshijnë në lista familjet që nuk plotësojnë kushtet

Kontrollet e tre muajve të fundit nxjerrin nga skema e përfitimit 500 familje abuzive

Përfituesit abuzivë mbeten ende pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Pavarësisht masave të marra njësitë vendore që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kësaj pagese, reflektojnë një sërë mangësish në dokumentacionet e mbledhura nga familjet përfituese. Shumë prej këtyre familjeve që mbështeten me këtë pagesë nuk plotësojnë kriteret e përfitimit, ku një ndër to është edhe posedimi i tokës. Kontrollet e ushtruara së fundmi nga inspektorët e shërbimit social kanë identifikuar përfitues të shumtë, në dosjen e të cilëve mungonte dokumenti që përcakton zotërimin ose jo të pronësive të ndryshme. Vetëm në tre muajt e fundit, janë identifikuar rreth 500 familje, të cilat merrnin këtë pagesë duke mos përcaktuar kriteret ligjore. Për të ndaluar përfshirjen në skemë të përfituesve abuzivë, kanë nisur inspektimet në terren në të gjitha qarqet për të verifikuar gjendjen reale të varfërisë të familjeve që përfitojnë këtë pagesë.

Abuzimet

Pas identifikimit të numrit të familjeve që përfitonin padrejtësisht këtë pagesë është marrë menjëherë masa e largimit të tyre nga skema, si dhe janë ndëshkimet përkatëse për personat përgjegjës të njësive vendore që kanë lejuar këto shkelje. Nga inspektimet e kryera në 120 njësitë e qeverisjes vendore është lënë për detyrë që të kontrollohen me përpikëri dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të gjitha familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë. Gjithashtu është kërkuar që të plotësohen mangësitë e vërejtura në dokumentacionin për tokën nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kadastra e qarkut. Po ashtu është lënë detyrë që të afishohen listëpagesat dhe të kryhet verifikimi i situatës reale social-ekonomike të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike. Janë edhe shumë njësi të tjera vendore, të cilat do t’u nënshtrohen këtyre kontrolleve të njëpasnjëshme. Sipas kreut të Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, nga strukturat e inspektimit në nivel rajonal dhe qendror janë inspektuar deri tani 120 njësi vendore për të kontrolluar zbatueshmërinë e kritereve të ndarjes së ndihmës dhe pagesës së aftësisë së kufizuar. “Për këtë periudhë, nga strukturat e shërbimit social janë propozuar për personat përgjegjës 3 vërejtje, paralajmërim për pushim nga puna, 1 largim nga puna, si dhe është vendosur një gjobë. Po ashtu, njësive vendore u është lënë për detyrë të detyrojnë përfituesit e padrejtë që të kthejnë në total ndaj shtetit 682 mijë lekë”, ka pohuar Naço.

Reduktimi

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, pjesë e përfitimit të kësaj pagese do të jenë dhe një sërë kategorish të tjera që nuk kanë përfituar më parë, siç janë jetimët, viktimat e trafikimit apo kryefamiljaret pa të ardhura. Përkundrejt shtimit të kategorive përfituese, në strategjinë sektoriale të mbrojtjes sociale deri më 2013-ën, parashikohet reduktimi i përfituesve, duke lënë në skemë individë dhe familje në përputhje me vijën e varfërisë prej 2 dollarësh në ditë. Synohet që varfëria më 2013 të reduktohet në 10 për qind të popullsisë dhe në skemën e NE mendohet të bëjnë pjesë rreth 70 mijë familje (nga 90 mijë që janë aktualisht), prej të cilave 35 mijë në qytet. Marrja e kësaj pagese kushtëzohet edhe me kryerjen e punëve të ndryshme në komunitet. Në disa raste, gati gjysma e numrit të familjeve nuk kanë pranuar të marrin pjesë në punë komunitare. Për pasojë, sipas rregullave ato janë larguar nga skema. Kushtëzimi i ndihmës është një ndër problemet që duhet të zbatohet nga të gjitha njësitë vendore, në përputhje me detyrimet ligjore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›